Nga Gazeta Si - 70-vjetori i Kinematografisë shqiptare mblodhi në një ceremoni festive aktorë, regjisorë, skenaristë, piktorë, inxhinierë e teknikë, që ndër vite kanë bërë historinë e filmit shqiptar.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ish-Kinostudio, ishte e pranishme edhe ministrja Elva Margariti, e cila u shpreh se Kinostudio prej vitesh nuk kishte përjetuar emocione të tilla.
“U bëmë pjesë e një mbrëmjeje yjesh në 70-vjetorin e Kinostudios. Një mbrëmje-homazh për ata që nuk janë më dhe një falënderim për kineastë, aktorë, piktorë, inxhinierë e teknikë, që bënë historinë e filmit shqiptar. Një atmosferë e ngrohtë nën tingujt e kolonave aq të bukura zanore të kompozitorëve tanë të mëdhenj, interpretuar nga orkestra ‘Simfoart’”, u shpreh Margariti.
70 vjet më parë u përurua Kinostudio “Shqipëria e re”, një kinema unike dhe e rëndësishme, që në rrjedhën e kohës krijoi qindra karaktere, ilustroi mijëra vende e ngjarje. Sot ajo mbetet burim i rëndësishëm studimi për të kuptuar historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve të 70 viteve të fundit.
Filmi “Tana” është filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë, prodhim i vitit 1958 nga “Shqipëria Film”, e transformuar më pas në Kinostudio “Shqipëria e Re”. Premiera e tij u shfaq më 17 gusht 1958. Filmi ishte me regji të Kristaq Dhamos, skenar të Fatmir Gjatës e Nasho Jorgaqit dhe muzika nga Çesk Zadeja.
Në rolet kryesore ishin aktorët Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka e Kadri Roshi ku ngjarjet zhvillohen në vitet ‘50.
Në qendër të filmit është Tana, (aktorja Tinka Kurti) një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Por Tana do të përballet me mentalitetin e vjetër të gjyshit të saj si dhe xhelozinë e Lefterit. Në këtë film është realizuar edhe puthja e parë në filmat shqiptarë.
Kinostudio “Shqipëria e Re” ka prodhuar dhe shpërndarë shumë filma shqiptarë ku më intensive ka qenë veçanërisht periudha e viteve ’70 -’80 kur prodhoheshin 13-14 filma në vit.
Kinostudio “Shqipëria e Re”, e kthyer në 1992 në Albafilm dhe e mbyllur përfundimisht në vitin 1996, la një trashëgimi prej rreth 200 filmash, shumica e të cilëve, u realizuan nën propagandën e kohës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.