Futboll

Tifozët frymëzojnë Skënderbeun, Kukësi në tapet

Duhej patjetër të ktheheshin tifozët që Skënderbeu të kthehej te fitoja në stadiumin e tij, ku kishte humbur 4 pikë me barazimet ndaj Laçit dhe Tiranës. Korçarët kanë zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë ndaj Kukësit dhe në fund ka fituar 1-0, duke u ngjitur në vend të dytë, me 14 pikë, 2 pikë pas Partizanit kryesues. Gjergji Muzaka humbi një 11-metërsh në pjesën e parë dhe gjithçka mbeti e hapur deri në fund, por festa u takoi të zotëve të shtëpisë.

Trajnerët Shehi dhe Cungu kishin bërë ndryshime në këtë ndeshje. Për Skënderbeun luajti afrikani Oto Xhon në sulm nga minuta e parë dhe jo Krasniqi, ndërsa te Kukësi u rikthyen titullarë Dzaria dhe Çyrbja. Një gol i shënuar nga Gripshi në minutën e 17-të vendosi këtë ndeshje, ku rastet ishin më të shumta për korçarët. Muzaka fitoi një penallti pas një dyluftimi me Zguron, por po vetë gaboi nga pika e bardhë. Trajneri Cungu kërkoi që të tijtë të reagonin dhe hodhi në fushë edhe Ethemin, Kalanë dhe në fund Harbën, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe në fund Skënderbeu ka festuar fitoren me tifozët e tij, të cilëve u kishte bërë thirrje para ndeshjes për të respektuar rregullat, në mënyrë që të shmangen dënimet nga Disiplina.

Nga ndeshja Skënderbeu-Kukësi, 1-0. Korçarë festojnë golin e fitores

Vlen të theksohet fakti se korçarët i kanë fituar të gjitha përballjet me rivalët e tyre për titull, me Partizanin, Flamurtarin, dhe Kukësin. Java e tetë e Superiores do të luhet në dy ditë, të dielën dhe të hënën. Skënderbeu do të shkojë në Gjirokastër për ndeshjen e radhës, kurse Kukësi do të ndeshet me Partizanin në stadiumin “Elbasan Arena”.

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, pas fitores theksoi se rivalë në garën për titull nuk janë vetëm Kukësi dhe Partizani: “Kemi marrë një fitore me vlera, pasi vinim nga një moment jo i mirë. Kjo fitore na mbush me besim. Luajtëm shumë mirë, sidomos në mbrojtje. Në çdo ndeshje e studiojmë kundërshtarin, duke parë pikat e dobëta dhe të forta të tij, ndaj bëmë shumë ndryshime, ku Bregu luajti në krahun tjetër. Vetëm në një moment u tërhoqëm më shumë se duhej, ndoshta edhe nga lodhja. Kampionati është i gjatë dhe i vështirë. Nuk janë vetëm Partizani dhe Kukësi rivalët tanë, kemi edhe skuadra të tjera pranë”.

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, duke dhënë udhëzime gjatë ndeshjes

Kurse trajneri i Kukësit, Armando Cungu, theksoi se barazimi do të ishte rezultati më i drejtë në Korçë: “Kishim ardhur për rezultat pozitiv në Korçë dhe e nisëm ndeshjen mirë. Po qarkullonim topin dhe po e mbanim në presion kundërshtarin. Më pas u futëm ne në presion dhe kundërshtari, i mbështetur edhe nga tifozeria, mori hov. Kukësi është ekip i ri dhe nuk e përballoi psikologjikisht ndeshjen. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë dhe mund të barazonim. Penalltia ishte evidente, ndërsa në rastin e golit Çyrbja duhej të mbulonte Gripshsin. Ndjeva rrezikun dhe bërtita nga stoli, por ndodhi. Nuk është e lehtë në Shqipëri, ka skuadra të forta, por Kukësi mbetet pretendent. Sapo ka filluar kampionati dhe jemi penalizuar jo pak nga mungesat e Musollit dhe Rrumbullakut, që janë lojtarë të rëndësishëm për ne. Nuk pashë diferencë të madhe mes ekipeve dhe mendoj se barazimi do të ishte rezultati më i drejtë”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë