Futboll

Tifozët e Real Madrid ëndërrojnë rikthimin e Ançelotit

Aventura e Lupetegui në stolin e Real Madrid nuk është duke shkuar siç pritej, me ekipin “Los Blancos” që në këto javë të para të sezonin është larg paraqitjeve të sezoneve të fundit. Ish-trajneri i kombëtares spanjolle prej disa ditësh po përflitet për një largim të mundshëm nga ekipi madrilen. Sfida vendimtare për trajnerin 52-vjeçar pritet të jetë “El Clasico” e kësaj fundjave dhe në rast të një humbje ai mund të largohet nga Real Madrid.

Tashmë ka filluar të flitet për emrat e trajnerëve që do të ulën në stolin e ekipit madrilen. Antonio Conte është pretendenti kryesor, ndërsa edhe emrat e Solari dhe Gutti shikohen si kandidat seriozë. Por për tifozët e Real Madrid ka një tjetër ëndërr që quhet Carlo Ançeloti. “Don Carlo” ishte trajneri që theu mallkimin e “la decima”, duke çuar Champions League numër 10 në Madrid. Pas Zidane, italiani është trajneri më i pëlqyer për tifozët, për shkak të lojës që skuadra prodhonte me të, por edhe për shkak të raportit mjaft të mirë që kishte me tifozët.

Në rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit është duke u bërë shumë popullore hashtagu “#VuelveaMadrid”, që do të thotë kthehu në Madrid. Kërkesa është e drejtpërdrejtë për italianin që këtë sezon ka marrë drejtimin e Napolit. Nuk ishin të paktë tifozët e Real Madrid që i shkuarin Ançelotit për të marrë avionin e parë në drejtim të kryeqytetit spanjoll. Por kjo fushatë në rrjetet sociale nga madrilenët ka hasur në kundërshtimin e ashpër të tifozëve të Napolit. Këta ta fundit janë përgjigjur me hashtagun “#DonCarlononsitoca” që do të thotë “Zoti Karlo nuk preket”.

Mund të thuhet se është një luftë e vogël në rrjetet sociale mes dy tifozerive, që mund të marrë fund pas “El Clasico”, kur Real Madrid do të vendosë nëse do të vazhdojë me Lopetegui ose do të ulë dikë tjetër në pankinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë