Futboll

Thyhet “fortesa” e Laçit, Kukësi fiton me përmbysje

Raundi i nëntë i Superligës Shqiptare ka filluar pasditen e kësaj të shtune me jo pak surpriza dhe shumë gola. Do duhej të kalonin 9 javë kampionat dhe që të luhej në një fushë asnjanëse që Laçi të pësonte humbjen e parë nga Teuta në shifrat 0-3. Ndërsa Kukësi ka marrë një fitore shumë të vuajtur me Kastriotit 1-2, duke përmbysur disavantazhin e pjesës së arë.

Në “Elbasan Arena” të dyja skuadrat që zbrisnin në fushë ishin shumë të uritura për të marrë tre pikët. Laçi nga njëra anë kërkonte që të vijonte me rezultatet pozitive, duke mbajtur stofin e ekipit të vetëm të pamposhtur deri më tani në Superiore, ndërsa Teuta i donte pikët, pasi ishte shkëputur shumë nga lufta për Europën.

Skuadra e Shkëmbit e kishte përgatitur më mirë këtë sfidë, duke e filluar që në minutat e para në sulm. Goli për bregdetarët do të vinte që në minutën e 17’ nga i zakonshmi Latif. Teuta shënon golin dhe merr në kontroll lojën, teksa në minutën e 25’, Gerhard Progni do të dyfishonte shifrat. Laçi tentoi të reagonte, por ishte shumë i pafuqishëm përballë një Teute shumë të organizuar dhe pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-2. Në 45 minutat e dyta, kurbinasit tentojnë të bëjnë diçka për t’ia ndryshuar fatin kësaj përballje, por pa shumë sukses. Teuta është e qetë në lojën e saj, duke administruar avantazhin dhe mban topin në kontroll. Për ta kompletuar këtë sukës të durrsakëve, mendon sërish Latif, që shënon golin e dytë personal dhe të tretin e sfidës, duke e mbyllur atë me rezultatin final 0-3. Kjo ishte ndeshja e parë e Laçit, që pëson më shumë se një gol në këtë kampionat dhe mund të thuhet se është ulur me “këmbë në tokë”, duke qenë se deri më tani kishte ruajtur pathyeshmërinë. Ndërkohë Teuta tashmë bën dy fitore rresht dhe duket sikur është futur në shina dhe skemat e Bledi Shkëmbit po fillojnë të funksionojnë.

Edhe sfida në Fushë Krujë ka qenë shumë e luftuar, ndryshe nga sa pritej në letër. Kastrioti ka bërë rezistencë, por në fund do duhej të pajtohej me humbjen. Krutanët e hapën të parët serinë e golave, duke shënuar me anë të Roxher në minutën e 22’. Goli gjen disi të papërgatitur Kukësin, që gjithsesi mundohet menjëherë të reagojë. Pjesa e parë mbyllet me këto shifra, ndërsa e dyta do të fliste tërësisht për miqtë kuksian.

Që në minutën e 55’ është kapiteni Ylli Shameti që çon shifrat në baraspeshë. Me shënimin e këtij goli, Kukësi bëhet akoma dhe më agresiv dhe hidhet i gjithi në sulm në kërkim të fitores. Goli i avantazhit do të vononte shumë, pasi vetëm në 5 minutat e fundit të sfidës. Ai që gjen rrugën e rrjetës është Cordero, i cili i harruar nga mbrojtësit në zonë, nuk gabon dhe e çon topin në rrjetë. 1-2 dhe Kukësi merr një fitore shumë të vuajtur, por më shumë vlerë, sidomos pas dy humbjeve radhazi me Partizanin dhe Skënderbeun, duke qetësuar disi ujërat në kampin e klubit verilindor.

Ditën e diele luhen dy sfidat e tjera të kësaj jave, Skënderbeu pret Kamzën dhe Luftëtari sfidon Partizanin në “Selman Stërmasi”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë