Futboll

Thyhet një tjetër tabu, edhe “Camp Nou” do të ndryshojë emrin

“Më shumë se një klub”, por deri në një farë pike. Horizontet e reja në futboll sjellin edhe skenarë të rinj. Pas sponsorit në fanellë, Barcelona është gati të ndërrojë edhe emrin e stadiumit “Camp Nou”. Akordi është shumë pranë me një firmë farmaceutike.

Përballë interesave ekonomikë të futbollit modern, edhe emblemat apo emrat më të vjetër të historisë së këtij sporti rrezikojnë të harrohen. Shembulli i fundit vjen nga Barcelona. “Mundo Deportivo”, një e përditshme që historikisht ka qenë pranë klubit katalanas, ka publikuar lajmin se shumë shpejt “Camp Nou” mund të ndryshojë emrin. Stadiumi pritet të marrë emrin “Grifols”, një kolos farmaceutik që e kanë selinë qendrore pikërisht në qytetin katalanas. Kjo kompani po mbyll marrëveshjen, që do ta transformonte tempullin e futbollit katalans në një stadium më pak romantik, por që do të sillte të ardhura më të mëdha për klubin. Nuk ka asgjë të keqe. Në fund të fundit, të gjithë klubet e mëdha në Europë po ua besojnë shtëpinë e tyre partnerëve të rëndësishëm tregtarë. Parashikohet që gjithçka të mbyllet brenda vitit të ardhshëm, edhe pse duhet të përcaktohet çmimi i kësaj marrëveshje.

Stadiumi "Camp Nou"

Një revolucion i vërtetë për një klub, që deri pak kohë më parë e kishte te shenjtë uniformën dhe nuk pranonte asnjë sponsor në fanellë. Por kohët ndryshojnë, ashtu si dhe kërkesat e tregut. Kampionët e mëdhenj nuk paguhen vetëm me ideale dhe me të ardhurat që sigurohen nga sukseset në Europë. Barcelona ka kosto të lartë për drejtuesit. Ja pse klubi katalanas, krenar për “brandin” e krijuar dhe sukseset e arritura, e pranon me kënaqësi një ndihmë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një kompani të fuqishme, që sjell dhjetëra miliona euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë