Keshilla

Thirrja e diplomatëve: Qëndroni në shtëpi! Nuk na lejohet dështimi

Ambasada Amerikane në Tiranë dhe zyra e Bashkimit Europian vazhdojnë fushatën ndërgjegjësuese përmes rrjeteve sociale, duke u kërkuar qytetarëve që të respektojnë masat e karantinimit dhe të qëndrojnë në shtëpi.

“Dështimi nuk na lejohet! Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të bëjmë pjesën tonë në luftën kundër CoVid-19”, shkroi ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

Kryediplomatja amerikane e postoi këtë shënim teksa shpërndante një video-mesazh të ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Soreca kërkonte përgjegjshmëri nga qytetarët.

“Të gjithë duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin, të sillemi në mënyrë të përgjegjshme, të ndjekim rregullat me rigorozitet, të respektojmë sakrificën e përditshme të mjekëve dhe të policisë shqiptare për të na ruajtur të gjithëve. Le të bëhemi pjesë e zgjidhjes, jo e problemit”, shkruan ambasadori i BE-së.

Mesazhin e shoqëron video ndërgjegjësuese e dy mjekëve, që në duar mbajnë shënimet “Jini të përgjegjëshëm! Qëndroni në shtëpi, sepse ne nuk mundemi!” dhe “Lani duart!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë