Mendim

Themelimi i PS-së, dhe rruga e re që propozon Ditmir Bushati

Nuk ka rëndësi se si festohet sot 29 vjetori i themelimit të Partisë Socialiste.

Për Ditmir Bushatin, kjo ditëlindje duhet të shërbejë si ballafaqim me veten, që reflektimi, ndryshimi, e nesërmja të fillojë nga brenda PS-së.

Në një analizë të gjatë për shumëçka lidhur me PS-në, Ditmir Bushati thotë se ajo duhet të jetë si partia me hapësirën më të madhe të lirisë së mendimit dhe debatit. 

“Si partia që nxit dhe promovon kohezionin e shqiptarëve në rajon dhe që i qëndron besnike kauzave kombëtare.

Si partia e intelektit, progresit dhe komuniteteve. Partia që respekton karrierën dhe meritokracinë dhe që nxjerr mësime nga gabimet e së shkuarës në përfaqësimin politik nga individë të papërshtatshëm”.

Si dikur Rama përtej të majtës dhe të djathtës, edhe Ditmir Bushati flet për rrugë të re.

“...Më shumë se kurrë, sot kemi nevojë për një rrugë të re dhe model funksional për të administruar burimet dhe pasurinë tonë si shoqëri. Duhet të ndërtojmë një shtet efikas që garanton sundimin e së drejtës në ekonomi dhe jo shoqërinë e shtetit që ushqen parazitizëm dhe asfikson konkurrencën.

Partia Socialiste ka fuqi intelektuale dhe energji njerëzore për të ofruar një rrugë të re për një mandat të ri. Shumica e heshtur e këtij vendi, e velur me politikën e ditës, është në kërkim të një rrugë të re... Për një rrugë të re. Për një mandat të ri. Ne duhet të jemi gati”, shkruan Bushati.

Për të shkuar tek mandati i ri, Bushati këshillon një parti që mendon për më të vegjlit, të pafuqishmit, të dobëtit, sipërmarrësit, të rinjtë, pensionistët, arsimtarët, mjekët, infermierët, artistët, sportistët, ushtarakët, policët, minatorët, naftëtarët, fermerët, punëtorët e krahut dhe nëpunësit civilë.

“Si partia që i fiton betejat me krimin e organizuar dhe korrupsionin, por që kujdeset për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Partia që guxoi të ndërmarrë një reformë të paprecedentë në drejtësi, por që nuk mjaftohet me numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar për shkak të vettingut, por me efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në të”...

...Nisur nga politikat e deritashme, Bushati nënvizon se nxjerrja në ankand e sektorit publik nuk u shoqërua me krijim të vendeve të reja të punës, investim në dije dhe zhvillim ekonomik të prekshëm.

“Sot krenohemi për disa reforma se i kemi bërë në “bashkautorësi me partnerët ndërkombëtar”, duke dëshmuar mungesë pronësie për procesin e reformave shtet-konsoliduese. Hendeku ynë zhvillimor me BE-në, më shumë sesa ekonomik, i ka rrënjët pikërisht tek mungesa e pronësisë së reformave që janë jetike për një shoqëri demokratike, si qumështi i nënës për foshnjën.

Komponenti më i prekshëm i demokracisë liberale është rritja ekonomike. Kur grupet e ndryshme luftojnë për të korrur frytet e rritjes, rregullat e lojës janë relativisht të lehta për t’u ndjekur.

Kur frytet zhduken, ose monopolizohen nga pak duar situata bëhet e keqe. Historia duhet të na e kishte mësuar këtë mësim. Humbësit, që janë shumica, dëshpërohen.

Politika e administrimit të grupeve të interesit shndërrohet në një betejë me shumatore zero për burimet gjithnjë e më të reduktuara”.

Prandaj sfida për PS-në, sipas Bushatit, është “si të ndërtojmë një kapitalizëm progresiv që shkon përtej një grushti përfituesish që vërtiten rreth e përqark buxhetit të shtetit dhe pasurive natyrore, duke siguruar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës”. 

...“Gjenerata e re e Shqipërisë është gjenerata e Facebook, Instagram, Tëitter, si dikur gjenerata e fëmijëve të televizorit. Ata kanë mundësi ta “prekin” botën me një të klikuar. Pikërisht për këtë, ne nuk mund t’ia shpjegojmë prapambetjen tonë ende me komunizmin. Në rast se prindërit tanë jetuan nën komunizëm, fëmijët tanë nuk mund të jetojnë dot në një tranzicion të gjatë thuajse sa komunizmi.

Prandaj duhet të adresojmë shkaqet e kërcënimit demografik që vjen për shkak të largimit të të rinjve dhe ‘agjentëve të ndryshimit’, si rezultat i humbjes së besimit te vendi, në kushtet kur projekti i Shqipërisë Europiane duket i largët”, shkruan Bushati.

Në këtë ditëlindje të PS-së, një vit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Bushati thekson se është momenti për t’i drejtuar  vetes disa pyetje.

 “Çfarë dhe kë përfaqësojmë ne? Duke qenë se përfaqësimi në politikë është po aq jetësor sa ç’është pulsi për njeriun, sa është socialisti i përfaqësuar në hallkat e qeverisjes?

Si ta bëjmë të dëgjueshëm zërin e qytetarëve të zakonshëm në vendimmarrjen tonë në mënyrë që askush të mos ndjehet i harruar?

Nga buron e drejta jonë për të marrë vendime që impaktojnë gjeneratat për 20 apo 30 vitet e ardhshme? 

Duke i dhënë përgjigjen e duhur pyetjeve të mësipërme ne duhet të kujdesemi që të mos lejojmë një zbaticë të vlerave, lirive politike, boshtit programatik dhe statutor në familjen tonë politike, dhe as zhvendosje nga habitati natyral i së majtës progresiste”.

Si forca politike më e madhe në vend dhe njëkohësisht në qeverisje, Bushati nënvizon se PS-ja nuk ka luksin as t’i bishtnojë sfidave të kohës e as të mjaftohet me diagnostifikimin e problemeve.

“Na duhet të dëshmojmë guxim për të ndryshuar dhe të punojmë për zgjidhje të reja. Të hapim një debat shoqëror për të ballafaquar idetë tona për një rrugë të re që na çon drejt një mandati të ri qeverisës...”.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë