Ne rrjet

Thaçi takon Macron: Jemi për marrëveshje paqësore me Serbinë

Presidenti I Kosovës Hashim Thaçi takoi Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me të cilin ka biseduar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Thaçi u shpreh se Kosova është e gatshme për marrëveshje paqësore me Serbinë.

“Jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të arrijmë një marrëveshje paqësore përfundimtare, që do të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, është shprehur ai në takim me presidentin Macron, bëhet e ditur përmes një njoftimi për media.

“Kjo do të thotë rrumbullaksim i konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se “kjo do t’i hapë rrugë investimeve nga jashtë”.

“Kjo do të thotë zhvillim për Kosovën. Kjo do të thotë më shumë mundësi për prosperitet, për jetë më të mirë, për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shtuar më tej ai.

Thaçi në takim me presidentin Macron ka folur edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

“Kosova ka vetëm një synim: anëtarësimin në NATO dhe BE. Asgjë nuk na lëkund nga ky synim dhe asgjë nuk na lëkund nga kjo rrugë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas njoftimit, Presidenti Macron ka shprehur përkrahjen e tij për paqe të qëndrueshme dhe zhvillim në Kosovë dhe në tërë rajonin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë