Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi refuzuar ftesën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, për të marrë pjesë në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kreu i Shtetit të Kosovës thotë se nuk mund të bëhet e iniciativës së Mini-Shenhenit për aq kohë sa Serbia mohon masakrat në Kosovë dhe lobon kundër pavarësisë së saj.
Përmes një shkrimi në Facebook, Thaçi shton se rrethanat që kanë penguar pjesmarrëjen e Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe atë që u mbajt në Ohër nuk kanë ndryshuar.
“Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë”, thotë presidenti.
Për Thacin, për aq kohë sa vazhdon të mohojë krimet në Kosovë, thirrjet për t’u bërë pjesë e iniciativave të tilla eksperimentale janë krejtëtsisht të pakuptimta.
“Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale”, shton ai.
Sipas kreu të Shtetit të Kosovës, Mini-Shengeni është rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor
Kosova është vendi i vetëm në rajon që po qëndron larg mini-Shengenit Ballkanik, pavarësisht mbështetjes së kryeministrit Edi Rama për këtë nismë i cili pas takimit me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Zoran Zaev, në Ohër, tha se ” Prishtina u vetëpërjashtua”.

Megjithatë, udhëheqësit politikë në Kosovë nuk e kanë kursyer revoltën, duke e cilësuar mini-Shengenin si një nismë që fuqizon ndikimin e Serbisë në rajon. Zyrtarët në Prishtinë janë të bindur se ky projekt bëhet për të krijuar ‘Jugosllavinë e re’, ku Serbia do të ketë rolin udhëheqës.
Ideja e krijimit të kësaj marrëveshje erdhi në tetor, pasi Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, së bashku me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vucic u takuan në Novi Sad ku deklaruan se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë të mirëpritur të bashkohuni me iniciativën.
Takimi i dytë i liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, së bashku me Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Denis Zvizdić dhe Ministren e Ekonomisë së Malit të Zi Dragica Sekulić, u mbajt në nëntor në Ohër, dhe rezultoi me një sërë propozimesh me qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal.
Por deputetja e sapo-zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, i ka bërë thirrje disa ditë më parqë kryeministrit Edi Rama, që të mos organizojë samitin e radhës për mini-Shëngenin Ballkanik, në Durrës.
Presidenti serb Aleksandër Vuçic vjen në 21 dhjetor në Durrës, pak pasi mohoi masakrën e Reçakut, duke e konsideruar atë si një trillim, shkruan ajo. Reshitaj tha se kryeministri Rama nuk duhet të ulet në një tavolinë me Vuçic. Sipas saj, kjo do të ishte fyerje jo vetëm për familjarët e viktimave dhe shtetin e Kosovës, por edhe fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve.
“Duke kujtuar se 20 vite më parë, nën petkun e flamurit shqiptar, pikërisht nën petkun e flamurit që ju përfaqësoni si kryeministër i shtetit shqiptar, u varrosën shumë fëmijë, pleq, gra e burra të pafajshëm, pas masakrës që cilësohet si njëra ndër ngjarjet më të tmerrshme që ka ndodhur në Ballkan. Pikë së pari, si një bashkëkombëse e juaja, por edhe si një deputete e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, kërkoj nga ju, që së paku në bazë të përgjegjësisë morale, të anuloni takimin tuaj të paraparë për 21 dhjetor në Durrës, me njeriun që në vend se të kërkojë falje, ai vazhdon t’i mohojë krimet e pushtetit të atëhershëm serb, pjesë e të cilit ishte edhe vetë si ministër”, ka shkruar deputetja Reshitaj.
“I nderuar kryeministër i Shqipërisë, ju nuk duhet të uleni e të flisni sërish me të, deri sa ai të reflektojë për deklaratën e dhënë. Kjo nuk është fyerje vetëm për familjarët e viktimave, apo vetëm për shtetin e Kosovës, por është fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve”, shkruan Reshitaj në një postim në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.