Ne rrjet

Thaçi: Kosova e Shqipëria do jetojnë bashkë nën një shtet

Duke folur nga Hasi, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i la të gjithë pa fjalë duke deklaruar se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen.

“Ne do të jetojmë në të ardhmen e afërt në një shtet të përbashkët Kosovë-Shqipëri. Mund t’ua siguroj që ëndrra për të pasur një hapësirë të pakufizuar mes Kosovës dhe Shqipërisë, është shumë e lehtë të realizohet sesa shkëputja nga Serbia”, deklaroi presidenti.

“Ju keni qenë bashkërisht me në luftë dhe bashkërisht do të jetojmë në liri dhe bashkërisht do të jetojmë në një të ardhme të afërt, në një shtet të përbashkët Kosove dhe Shqipëri’, tha zoti Thaçi.

“Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë për një unitet më të madh, një qëllim që do të jetë më i lehtë për t'u arritur se sa lufta e Kosovës për pavarësinë nga Serbia, tha Thaçi.

Me tej Presidenti i Kosovës foli edhe për Luginën e Preshevës që sipas tij do t’i bashkohet Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës, pa u prekur as Ujmani dhe as Trepça në këmbim.

“Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe grave, zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si kusht për bashkim kombëtar”, theksoi Thaçi në deklaratën e tij.

Deklarat bombastike erdhi pasi presidenti i Kosovës vizitoi Tiranën disa ditë më parë, ku edhe zhvilloi një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama.

Hashim Thaçi dhe Edi Rama

Historikisht ka pasur lëvizje të ndryshme që kanë kërkuar krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, madje dhe vetë Rama deklaroi disa muaj më parë se Kosova është pjesë e Shqipërisë. Por sa realiste janë deklaratat e Ramës dhe Thacit?

Por sipas Paulin Kolas dhe librit të tij të titulluar “Në kërkim të Shqipërisë Etnike” institucionet shqiptare vendim-marrëse nuk kanë qenë asnjëherë aq të fuqishme sa për të krijuar një shtet të vetëm shqiptar; liderët shqiptarë kanë qenë gjithmonë të varur nga ndikime ndërkombëtare; ata ishin më të koncentruar në ruajtjen e pozitës së tyre brenda shtetit dhe ishin të goditur nga rrethanat e kohës, saqë nuk ka pasur asnjëherë ndonjë nismë serioze për krijimin e një Shqipërie Etnike. Edhe pse miti i “Shqipërisë Etnike“ ekziston dhe diskutohet në mënyre jo-koherente dhe sporadike që nga koha e Perandorisë Osmane, asnjëherë nuk ka qenë platformë politikë serioze që është synuar të implementohet. Më shumë se tek bashkimi Shqipëria filloi të fokusohej në përmisimin e marrëdhënieve tregtare me Kosovën dhe rajonin.

Ideja e një kombi homogjen të shqiptarëve ka qenë e njohur për një kohë të gjatë një sondazh i zhvilluar në vitin 2010 gjeti se 81 për qind e shqiptarëve të Kosovës, 62 përqind të shqiptarëve të Shqipërisë dhe 51 për qind të shqiptarëve të Maqedonisë e mbështetin idenë e Shqipërisë së Madhe.

Serbia dhe Rusia në alarm

Në mars të këtij viti, në një deklaratë zyrtare Ministria e Jashtme Ruse e akuzoi Perëndimin se po përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë dhe se po mbështet një Shqipëri Etnike.

Kremlini ka paralajmëruar hapur qeverinë shqiptare nëpërmjet një deklarate diplomatike, të distancohet nga deklaratat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sipas Rusisë, liderët shqiptarë po përgatiten për “plane të rrezikshme gjeopolitike”.
Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme Ruse bëri të ditur se Moska e konsideron të papranueshme deklaratën e bërë nga kryeministri Edi Rama në mars se Kosova është “pjesë e Shqipërisë”.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova deklaroi se Rusia nuk mund të qëndronte e heshtur ndaj kësaj deklarate. “Fillimisht menduam nuk e kishim përkthyer mirë këtë deklaratë, prandaj kemi kontrolluar disa herë”, tha Zakharova. “Kryeministri shqiptar e lidhi zbatimin e këtij plani me korrigjimin e kufijve që diskutohen në mënyrë aktive për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës” tha ajo.

Edi Rama dhe Ramush Haradinaj

Reagimi i ashpër i Moskës vjen mes një sërë raportesh në media ruse, por edhe serbe, se liderët shqiptarë po përgatiten për krijim e Shqipërisë së Madhe.
Paralajmërimi i Kremlinit erdhi ndërkohë që Beogradi “vlon” prej kohësh me deklarata të paprecedente për shkak të “heqjes së kufirit” mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo lëvizje është pritur me nota alarmante nga Serbia, qe ka akuzuar politikanët shqiptarë se po përpiqen të krijojnë “Shqipërinë e Madhe” .

Thellimi i bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës si dhe heqja e barrierave kufitare, është parë nga Beogradi zyrtar jo vetëm si nje ide e “mbjellë” nga Amerika, por edhe një paralajmërim për aneksimin e Republikës Srpska. Një sërë zyrtarësh në Beograd kanë paralajmëruar se nëse krijohet Shqipëria e Madhe, atëherë do të krijohet edhe Serbia e Madhe.

Për Serbinë është çështje kohe derisa Kosova dhe Shqipëria të bashkohen, pasi sipas ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç nuk mund të ketë dy shtete shqiptare në Ballkan.
Deklaratat e kreut të diplomacisë serbe erdhën gjatë një interviste për televizionin rus “Russia Today”, ku foli edhe për samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlinit. Sipas tij, ky takim nuk do të bëjë të mundur vazhdimin e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Daçiç theksoi se krijimi i Shqipërisë së Madhe është kërcënimi më i madh për stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Ai foli për krijimit të kombeve sipas vijave etnike, duke theksuar se kombi shqiptar nuk mund të ketë dy shtete.

“Çdo njëri duhet ta ketë të qatë se asnjë komb në Europë nuk ka dy shtete. Populli shqiptar nuk mund të ketë dy shtete. Kjo utopi duhet të marrë fund. Ata që mbështesin Kosovën, mbështesin edhe Shqipërinë e Madhe, sepse është çështje kohe derisa Kosova dhe Shqipëria të bashkohen”, tha Daçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë