Analize

Thaçi dhe Haradinaj kërkojnë “një shpatull” tek Rama dhe Meta

Presidenti Hashim Thaci, kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj janë mbledhur njëri pas tjetrin në Shqipëri, për të takuar “vellëzërit” e tyre politikë në Tiranë por pa u takuar me njëri-tjetrin.

I pari që mbërriti në Tiranë ishte Limaj, i cili u takua zëvëndëskryeministrin Erion Brace dhe disa nga ministrat e kabinetit Rama, por jo me kryeministrin, edhe pse mbledhja për bilancin e marrëveshjeje Kosovë-Shqipëri po mbahej vetëm pak metra larg zyrës së tij. Më pas në Shqipëri do të mbërrinte presidenti Thaçi, i cili ndryshe nga Limaj, pas një interviste shpërthyese në mbrëmje për “Top Channel”, do të takonte në mesditë kreun e qeverisë shqiptare për t’u konsultuar për Samitin e Parisit.

Por surpriza e vërtetë do të vinte nga kryeministri Haradinaj, i cili “u gjend” papritur e pa kujtuar në Durrës, për t’u takuar me atë që është kthyer tanimë me aleatin më të madh të qeverisë së tij në Tiranë, presidentin Ilir Metaj. Ky i fundit priti më pas edhe zëvëndeskryeministrin Limaj.

Megjithatë, përçarjet mes liderëve shqiptarë duket se shkuan kësaj radhe përtej përplasjeve, duke u shndërruar në gafa diplomatike: Presidenti Thaçi që vjen Tiranë dhe nuk takon homologun e tij Ilir Meta, por kryeministrin Rama. Haradinaj, që erdhi në Shqipëri dhe nuk takoi homologun e tij , por Presidentin Meta. Ishin pikërisht këto takime që do të zbulonin jo vetëm aleancat e formuara mes tyre por edhe ndarjen e madhe mes Ramës dhe Haradinajt, nga njëra anë, atë të Thaçit dhe Metës, nga ana tjetër si dhe ndasitë mes Kryeministrit dhe Presidentit në Kosovë dhe mes dy krerëve të shtetit në Shqipëri.

“Molla sherrit” duket se vazhdon të jetë ndryshimi i kufijve të Kosovës, me presidentin Thaçi dhe kryeministrin Rama që janë të hapur ndaj kësaj ideje dhe Haradinajn që kundërshton hapur çdo skenar që përfshin kufijtë. Ky i fundit duket se është mbështetur edhe nga presidenti Meta, i cili e ka kthyer marrëveshjen Serbi-Kosovë në një “armë” kundër Ramës. Pas samitit të Berlinit ata nuk ia kanë kursyer publikisht njëri-tjetrit gjuhën e ashpër, akuzat për të shkuarën dhe etiketimet “tradhtar” “budalla” dhe “gënjeshtar”.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, presidenti Thaçi u takua më pas me Ramën në ambientet e Kryeministrisë, më të cilit tha se bisedoi për aktualitetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si dhe për përgatitjet e Kosovës për Samitin e Parisit.

Ramush Haradinaj dhe Ilir Meta

I ftuar në “Open”, Presidenti Thaçi i hodhi” benzinë” sherrit me Haradinaj duke deklaruar se do ta çonte korrigjimin e kufijve edhe në samitin e Parisit, nismë për të cilën duket se ka marrë edhe mbështetjen e kryeministrit Rama.

“Ideja e kufijve ka qenë e imja pas takimeve me liderët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Duke parë rrezikun ekzistencial në ato treva për banorët e tyre, vlerësoj edhe sot në mënyrë transparente që ato t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës. Është një korrigjim i padrejtësisë historike, i njoh njerëzit dhe kauzën e tyre, prandaj e shoh të nevojshme këtë korrigjim pa cenuar asnjë cm të territorit të Republikës së Kosovës”, deklaroi presidenti. “Unë jam për korrigjim, jo për shkëmbim. Këtë ide e kam prezantuar në të gjitha forumet ndërkombëtare dhe do ta prezantoj edhe në Paris”, shtoi Presidenti i Kosovës.

Ai nuk i kurse akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar se po përqafon idetë anti-kombëtare dhe se ka furnizuar Millosheviçin me kallashnikovë që të vazhdonte gjenocidin në Kosovë”.

“Berisha është argat i Sllobodan Millosheviçit prej 3 dekadash, bën përçarësin e politikës shqiptare, përqafon idetë antikombëtare dhe pengon të ardhmen zhvillimore të Shqipërisë”, theksoi Thaçi. “Saliu ka qenë gjithmonë që Kosova të jetë autonomi kulturore nën Serbinë. Ai ka pasur vullnetin dhe ka treguar angazhim që Kosova të mbetet nën Serbi”, shtoi Thaçi.
Ai solli në vëmendje edhe samitin e organizuar nga kancelaria Angela Merkel dhe Emmanuel Macron duke thënë se ishte tmerruar në Berlin, pasi krerët europianë nuk ishin koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me planin e bisedimeve për Kosovën.

Ndërkohë që Thaçi fliste përpara gazetarëve, Haradinaj ndodhej në Durrës ku takoi presidentin Meta. Edhe pse nuk zbuloi shumë detaje nga biseda më kryeministrin e Kosovës, kufijtë priten të kenë qënë po ashtu “kryetema” e këtij takimi. Mundësia e rishikimit të kufijve të Kosovës ka përçarë edhe drejtuesit e shtetit shqiptar. Meta është renditur në anën e Haradinajt dhe kundër Ramës e Thaçit, duke kritikuar të gjithë ata që duan ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Ish-ambasadori Agim Nesho, në një reagim për Gazeta “Si” e cilëson të dëmshme një sjellje të tillë, çka mund të ndikojë jo pak përpara faktorit ndërkombëtar apo dhe vetë aleatëve tanë. Ai thekson se për çështjet kryesore të politikës së jashtme kërkohet gjithmonë që të ketë një qëndrim të unifikuar, që pasqyron edhe seriozitetin e institucioneve të shtetit.

Hashim Thaçi dhe Edi Rama

“Qëndrimet e politikës se jashtme sidomos për çështje kryesore që kanë të bëjnë me kombin shqiptar dhe të ardhmen e tij, vijnë si rezultat i hartimit të një strategjie dhe zbatimit të një platforme të unifikuar dhe konsensuale. Fatkeqësisht në Shqipëri pushteti monopolizon politikën e jashtme, e cila më shumë i shërben pushtetit të kryeministrit. Në këtë rast kemi një pëlqim nga kryeministri për një projekt të veçantë që është hartuar dhe shtyhet nga udhëheqësit e Serbisë, Kosovës, projekt i cili ka krijuar reagime të shumta jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë”, pohon Nesho.

Ndasitë mes liderëve shqiptarë duket se janë pasqyruar edhe tek zbatimi i marrëveshjeje Shqipëri-Kosovë, të nënshkruara në Pejë nga Rama dhe Haradinaj.

Gjatë një tryeze në Tiranë, zëvendëskryeministri Limaj ka kritikuar ashpër të dyja palët duke i bërë thirrje t’i japin fund kohë së spektakleve politike dhe t’i përveshen punës. Sipas tij ky është momenti kur duhen gjera konkrete.

“Ne kemi pesë vendime që janë marrë në mbledhjen e Pejës. Të pesë marrëveshjet janë në realizim e sipër. Tani ka filluar njohja e patentë- shoferëve. Sa i përket qarkullimit të qytetarëve në pikën kufitare Morinë- Vermicë kemi hasur disa probleme teknike për qarkullimin njerëzve”, tha ai.

Limaj ka folur edhe për taksën ën rrugën e Kombit, duke i bërë thrrje qeverisë shqiptare të mendojë edhe për qytetarët nga Kosova.

“Çështja e skanerit dhe taksa e rrugës. Kem biseduar një kohë të gjatë për të parë si mund të dalim nga kjo situatë. Ne jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka obligime shtetërore, por ne mendojmë se për një vendim të keq të Kuvendit të Kosovës të mos vuajnë qytetarët e Kosovës dhe anasjelltas”, ka shtuar Limaj.

 

Më Shumë