Analize

Thaçi: Askush nuk e rishkruan historinë e Kosovës. Bild: Mund të arrestohet

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës!” Ky ka qënë reagimi i parë i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, pas aktakuzës nga Prokuroria Speciale për krime lufte. Edhe pse kanë kaluar dy ditë nga goditja e rëndë politike, presidenti mësohet se nuk ka mundur të kthehet ende në Kosovë për shkak të fluturimeve të kufizuara. Nga Vjena, ku është bllokuar që nga e mërkura, ai i dërgoi një mesazh arenës politike europiane, e cila duket se po shtyn për nisjen e hetimeve ndaj presidentit. Reja e zezë mbi Thaçin ka të ngjarë të përkeqësohet  me mbërritjen e tij në Kosovë, pasi nga njëra anë ekspertët po bëjnë thirrje për dorëheqjen e tij, ndërsa zyrtarët e lartë europiane po kërkojnë vërtetimin e akuzave.

Carl Bildt, ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm i Suedisë ka deklaruar se nëse aktakuza ndaj Thaçit konfirmohet, atëherë i presidenti do të arrestohet. Në një prononcim për mediat suedeze, Bildt thotë se kjo ngjarje do të trazojë për një kohë të gjatë politikën në Kosovë.

“Nëse aktakuza konfirmohet, presidentit do të shkojë në Hagë dhe do të përballet me një gjykim të gjatë e të komplikuar ku mbrojtja e dëshmitarëve do të jetë problem i madh. Gjyqi do të zgjasë disa vjet dhe presidenti mund të arrestohet. Dhe pa dyshim, kjo do të trazojë politikën e Kosovës”, deklaroi Bildt. Ashtu si një sërë zyrtarësh të lartë europianë, edhe ai i ka bërë thirrje skenës politike të Kosovës të mos pengojë punën e  Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës në Hagë, duke kërkuar uljen e presidentit në bankën e të akuzuarve.

Zyrtari i parë që mbajti këtë pozicion ishte deputeti gjerman i Unionit Kristiandemokrat, Peter Beyer,dhe një prej njerëzve më të afërt të kancelares Merkel. Ai tha se Prokuroria Speciale nuk akuzon UÇK-në, por Thaçin dhe ish-pjestarë të saj dhe i bën thirrje Kosovës të mbështesë Gjykatën Speciale në Hagë.

“Të gjithë duhet ta shohin qartë se nuk është UÇK-ja që është në bankën e të akuzuarve këtu, por individë që ishin në pozicione drejtuese në UÇK në atë kohë. Meritat e UÇK-së janë të padiskutueshme”, tha ai duke iu referuar presidentit Thaçi, ish-kryeparlamentarit Veseli dhe ish-kryeministrit Haradinaj, të tre të akuzuar për krime lufte.

Duke deklaruar se pajtimi me Serbinë mund të funksionojë vetëm nëse identifikohen krimet e luftës, deputeti gjerman tha se ky është një kapitull që duhet mbyllur pavarësisht se kush e ka kryer, por nuk përmendi në asnjë moment vrasjet masive të civilëve shqiptarë dhe gjenocidin serb.

Carl Bildt dhe presidneti Thaci. Gazeta Si, 2020

“Gjykata Speciale dhe Prokurorët e saj luajnë këtu një rol vendimtar dhe duhet të mbështeten fuqimisht nga të gjitha forcat shoqërore dhe politike në Kosovë dhe partnerët evropianë”, ka thënë deputeti gjerman, Peter Beyer, duke u bërë thirrje organeve ligjvënëse në Kosovë që të mos tërheqin bazën ligjore të Gjykatës Speciale.

Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë e akuzon presidentin Thaçi, për krime kundër njerëzimi dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë. Sipas ekspertëve kjo do ta vërë presidentin para dy zgjedhjeve: të dorëhiqet dhe të përballet me prokurorët si qytetar i thjeshtë, ose të rrezikojë bashkë me postin e tij edhe imazhin e shtetit të Kosovës.

Ka një argument ligjor sipas të cilit, presidenti Thaçi nuk do të duhej të jepte dorëheqje, sepse ndaj tij ende nuk ka një aktakuzë të vërtetuar. Për më shumë, në bazë të Nenit 91, të Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit mund të shkarkohet në rast së “është dënuar për ndonjë krim të rëndë”. Por, presioni mediatik, moral dhe politik ku gjendet presidenti, mund ta shtynte Thaçin të jepte dorëheqje nga posti i tij.

Ekspertët në Kosovë këmbëngulin se Thaçi do të duhej të bënte një sakrificë për të ruajtur integritetin dhe reputacionin e Republikës së Kosovës, duke dhënë dorëheqjen.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë edhe pse aktakuza e paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk është konfirmuar, vetë barra e të qenit i akuzuar për vepra penale serioze do të duhej të ishte shtysë për presidentin Thaçi që të mos e dëmtojë reputacionin e Zyrës së Presidentit dhe të shtetit të Kosovës.

“Është e vërtetë që në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet vetëm nëse është i dënuar për vepër të rëndë penale. Por, po flasim gjithmonë në aspektin etik dhe moral. Thaçi të duhej të bënte një sakrificë, duke dhënë dorëheqjen, për t’u përgatitur që të përballet  me akuzat nga Zyra e prokurorit të Specializuar dhe procesin që e pret”, tha Miftaraj.

Ndërkohë analisti i çështjeve politike Artan Muhaxhiri thotë se aktakuza ndaj presidentit po dëmton imazhin e Kosovës në mediat botërore.

“Kjo e vë në pozitë jashtëzakonisht të vështirë presidentin Thaçi, posaçërisht në aspektin moral. Pra, është një imponim për të, që të rimendojë postin e tij dhe mënyrën sesi do të vazhdojë karrierën e tij politike, duke dhënë dorëheqjen në pritjeje të vërtetimit të aktakuzës”, tha Muhaxhiri.

Ai thotë se ngjarjet e fundit e kanë dëmtuar kredibilitetin dhe integritetin jo vetëm të presidentit por edhe të zyrës së tij.

“Duke u nisur nga fakti, apo nga praktikat e mëhershme, kur në ish-Jugosllavi kemi pasur edhe në të kaluarën zyrtarë të lartë të akuzuar për krime lufte,  ambasadat e huaja, e kanë pasur shumë të vështirë të komunikojnë, të bashkëpunojnë me ta. Kjo do të ndodhë edhe me presidentin Thaçi për aq kohë sa është i akuzuar për krime lufte”, thotë eksperti.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë