Politike

Thaçi 20 minuta në telefon me Zaev: Më kërkoi falje, ishte bazuar në thashetheme!

Pas dy ditësh heshtjeje, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar për herë të parë publikisht sot mbi telefonatën e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev me dy komedianët rusë, ku ngrinte alarmin për ndarjen e Kosovës.

Në një deklaratë për mediat, Thaçi njoftoi se ka pasur një bisedë telefonike 20 minuta me Zaev, ku kryeministri maqedonas ka sqaruar se ka rënë pre e mashtrimi dhe gjithçka ka thënë nuk ka asnjë bazë zyrtare. Duke menduar se po fliste me ish-presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, kreu i qeverisë maqedonase shprehej se Thaçi dhe presidenti Aleksandër Vuçiç kanë rënë dakort për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kam zhvilluar mbrëmë një bisedë telefonike 20 minuta. Zaev më ka thirrur mua si President për tu sqaruar. Më ka thënë se ka qenë një rrethanë në të cilën ka rënë pre e mashtrimit dhe gjithçka ka folur për komunat e Kosovës që do ti jepen Serbisë është bazuar në thashetheme, dezinformata dhe të dhënat apo lancimet në media. Më ka kërkuar falje mua personalisht dhe Kosovës. Në të njëjtën kohë ka theksuar se ajo çfarë ka folur me mashtruesit që e kanë thirrur në telefon kanë qenë gjëra që nuk përkojnë me Kosovën. Ka thënë se nuk ka asnjë informacion zyrtar për atë që ka deklaruar, por thashetheme dhe lajme të rreme nga gazeta ruse Sputnik”, u shpreh presidenti.

Thaçi u ndal edhe tek raportet e Kosovës me Maqedoninë e Veriut, duke thënë se kanë qenë dhe janë korrekte. Presidenti madje zbuloi se edhe ai vetë ka qenë në shënjestër të dy komedianëve rusë para 8 muajsh.

"Kanë tentuar të depërtojnë dhe në zyrën time. Kjo përpjekje, erdhi para 7-8 muajsh. Falenderoj kabinetin për punën e tyre shumë profesionale që kanë shmangur këta dy mashtrues”, tha Thaçi.

Gjatë bisedës me komediantët, Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov, Zaev ka deklaruar se ndryshimi i kufijve mund të shkaktojë një luftë të re në Ballkan. Zaev është i bindur se prapa këtij plani të rrezikshëm qëndrojnë interesat e Rusisë dhe Turqisë dhe se Thaçi mund të këtë rënë pre e këtij skenari. Zaev ka zbuluar madje se plani i Thaçit dhe Vuçiçit është që Kosova t’i japë plot 10 komuna Serbisë, në shkëmbim, të bashkimit të Luginës së Preshevës.

Por Zaev dhe Thaçi nuk kanë qenë shënjestra e vetme e dy komedianëvë, pasi pas kreut maqedonas, komedianët duket se kanë folur edhe me kryeministrin Haradinaj. Përgjimi i kësaj bisede nuk është publikuar ende, por burime nga kabineti i kryeministri Haradinaj kanë bërë të ditur se edhe ai ishte mashtruar të paktën 3 herë.

Pas kësaj bisede, Haradinaj bëri madje edhe një gafë të madhe diplomatike, duke shkruar në Tuiter: “Përkrah “mikun e tim”, Petro Poroshenkon për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe i uroj fitoren kryeministrit të ardhshëm, Vovan Lexusov”. Por në fakt, emri “Vovan Lexusov” është i rremë dhe është kombinim i emrave të dy komedianëve Vovan dhe Lexus .

Pas skandalit në Shkup, mediat në Prishtinë kanë zbuluar sot se Haradinajt i ishte premtuar se Kosova do të njihet nga Ukraina, nëse Poroshenko fitonte zgjedhjet presidenciale, madje të mërkurën, dy komedianët kanë konfirmuar se kanë biseduar tre herë me Haradinaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë