Futboll

Teuta tregon forcën me Luftëtarin në shtëpi

E vazhdon prej 7 javësh serinë e rezultateve dhe tashmë është në vendin e tretë të Superiores. Teuta ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në shtëpi përballë Luftëtarit në shifrat 1-0. Një fitore minimale, por që i ka mjaftuar ekipit të Bledi Shkëmbit që të ngjitet në kuotën e 25 pikëve, vetëm 6 më pak se Partizani kryesues. Miqtë nga e Gjirokastrës nga ana tjetër nuk ka mundur dot të mbajnë të ruajnë serinë e rezultateve pozitive të dy javëve të fundit, duke u dorëzuar në “Niko Dovana” edhe pse luftuan deri në fund për të dalë me një pikë.

Teuta e filloi takimin me një marsh më shumë që në minutat e para, duke i imponuar ndaj miqve blu zinj. Pa filluar mirë takimi do të vinte goli i parë dhe i vetëm i kësaj sfidë. Është i riu Kallaku që ndëshkon Luftëtarin dhe kalon në avantazh Teutën që në minutën e tretë. Edhe pas këtij goli Teuta vijoi të qëndronte në sulm, duke kërkuar avantazhin e dyfishtë. Luftëtari nga ana tjetër në 45’ minutat e para kishte vetëm dëshirën për të barazuar, pasi në fushë nuk mund të bënte dot më shumë.

Në pjesën e dytë vijon e njëjta histori me Teutën që ka gjatë gjithë kohës topin në zotërim dhe kërkon golin e sigurisë. Ndërkohë me kalimin e minutave, u duk sikur Luftëtari u ringjall dhe kërkoi që të dilte të paktën me një pikë nga kjo përballje. Në minutat e fundit, duke rritur presionin Luftëtari i pati rastet për të shënuar, por nuk ia doli dot, kjo falë edhe portierit të Teutës, Isli Hidi që u tregua vendimtar në disa ndërhyrje.
Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe kështu Teuta mori tre pikët e radhës, ndërsa Luftëtari duhet të fillojë të mendojë që sot për sfidën e fundit, pasi rreziku i fundit të tabelës është gjithmonë prezent.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë