Futboll

Teuta e brishtë, Kukësi “kërcënon” dy kryesuesit

Me fitoren në Durrës, Kukësi u ka dërguar një mesazh të qartë dy kryesuesve të renditjes, Flamurtarit dhe Skënderbeut: në garë për titullin kampion është edhe skuadra verilindore. Një gol në pjesën e parë i sulmuesit nga Mozambiku, Rexhinaldo, i ka dhënë tri pikë të çmuara skuadrës së drejtuar nga trajneri Armando Cungu. Ishte fitorja e vazhdimësisë për Kukësin, që është njgitur në kuotën e 7 pikëve, po aq sa kanë edhe vlonjatët e korçarët, të cilët do ta zhvillojnë ditën e hënë ndeshjen mes tyre. Pas asaj nisjeje të dobët të kampoionatit, me barazimin ndaj Laçit dhe humbjen në Vlorë, Kukësi është futur në “shinat” drejt kreut, duke treguar se është një kandidat potencial për titullin kampion.

Për t’u veçuar është fakti se katër golat e shënuar nga Kukësi në dy ndeshjet e fundit, ndaj Tiranës dhe Teutës, mbajnë firmën e Rexhinaldos, vendimtar për rezultatet e verilindorëve. Edhe në Durrës ai i dha fitoren Kukësit. Teuta nga ana tjetër mbetet ende një skuadër e brishtë, pavarësisht entuziazmit dhe dëshirës që kanë lojtarët e saj të rinj. Durrsakët pësuan humbjen e parë në këtë kampionat, por duhet thënë se me Kukësin kishin edhe fatin kundër. Prodhuan lojë dhe raste për shënim, në një rast goditën edhe shtyllën, por pa gjetur golin. Teuta është një skuadër e ndërtuar thuajse nga e para dhe është e qartë se i duhet ende kohë që të shfaqet në nivelin e saj më të mirë.

Nga ndeshja Teuta-Kukësi, 0-1

Java e katërt e kampionatit është hapur me ndeshjen Kamza-Kasrtioti, që u mbyll me rezultatin 2-0. Roloviç dhe Fukui shënuan golat për skuadrën e Kamzës, në stolin e së cilës debutoi me sukses trajneri i ri, Klodian Duro. Skuadra nga periferia e kryeqytetit e dominoi totalisht ndeshjen, ndërsa për Kastriotin kanë filluar vështirësitë e Superiores. Pas fitores në Gjirokastër në javën e parë, krutanët kanë pësuar tri humbje radhazi dhe nëse nuk reagojnë, do të shpallnin kandidaturë e tyre për rënien në Kategorinë e Parë.

Kamza feston fitoren ndaj Kastriotit me trajnerin e ri Duro

Laçi-Partizani dhe Tirana-Lufëtëtari janë çiftet e tjera të javës së katërt që luhen të dielën, ndërsa kryendeshja e javës, Flamurtari-Skënderbeu, është programuar të zhvillohet ditën e hënë. Interesante pritet të jetë edhe sfida Laçi-Partizani, ndërkohë që pritet edhe zhbllokimi i Tiranës, që pret Liuftëtarin në fushën e saj.  


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë