Lajme

Tërmeti, valë arrestimesh në Durrës

Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 17 urdhër-arreste lidhur me pasojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit që la 51 viktima. Fletë arrestet janë lëshuar për personat që dyshohet se kanë lidhje me legalizimin apo certifikimin e objekteve që janë rrëzuar nga lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit.
Bëhet fjalë për ish drejtorë ALUIZNI, ndërtues, inxhinierë e topografë të cilët janë pjesë e legalizimit të godinave që u shembën dhe morën jetë më 26 nëntor 2019. Ndërkohë që deri tani janë shoqëruar rreth 30 ndërtues, inxhinierë dhe zyrtarë të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre mund të jenë bërë shkak për humbjen e jetëve nga tërmeti tragjik.
Në shënjestër të hetimeve janë ndërtesat, shembja e të cilave la pas viktima, si Konvaleshenca, hotel Mira Mare, hotel Tropikal, Vila Palma, pallati gashtëkatësh, por edhe ndërtesat e tjera të dëmtuara që janë shpallur pabanueshme.
Mësohet se deri tani janë arrestuar 9 persona;

1-Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale "Shpërdorimi i detyrës”.

2-Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

3-Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

4-Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.

5-Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

6-Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

7-Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

8-Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.

9- Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshaur si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.


Drejtori Ahmet Doda dhe nëndrejtori Kujtim Hasa janë marrë në pyetje lidhje me këtë ngjarje, pasi objekti që u shemb ishte vlerësuar i papërshtatshëm që prej tërmetit të 21 Shtatorit. besim Hajdarmataj, qe humbi jetën nuk kishte pranuar të qëndronte në godinën e vjetër ku u akomoduan studentët, por kishte qëndruar në godinën e re e cila u shemb nga tërmeti. Sipas policisë, drejtuesit e këtij institucioni duhet të kishin këmbëngulur që ai të mos qëndronte atje, duke pasur parasysh se ndërtesa ishte shpallur e paqëndrueshme.
Disa ditë më parë në Durrës shkoi edhe kryeprokurori Osljan Çela, i cili gjatë takimeve në prokurorinë e këtij qyteti theksoi se shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete, duke nënkuptuar arrestime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë