Partia Demokratike në Lezhë nëpërmjet një deklarate për shtyp ka sulmuar qeverinë për faktin se kjo e fundit nuk u ka ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti i fuqishëm i nëntorit.
Në të thuhet se verifikimi në terren nga Bashkia Lezhë në një masë të konsiderueshme nuk është kryer në kohë, duke ngadalësuar procesin dhe duke krijuar pasiguri te banorët.
“Tërmeti i 26 nëntorit ka sjellë dëme të konsiderueshme për banorët e Bashkisë Lezhë. Në këtë situatë të vështirë për qindra familje lezhjane, reagimi i institucioneve kompetente duhet të jetë serioz, i saktë, objektiv dhe të japë zgjidhje urgjente. Verifikimi në terren nga Bashkia Lezhë në një masë të konsiderueshme nuk është kryer në kohë, duke ngadalësuar proçesin dhe duke krijuar pasiguri tek banorët për shkak edhe të qëndrimeve kontradiktore të mbajtura dhe komunikuara në kohë të ndryshme. Nuk ka patur transparencë me qytetarët, ne veçanti me personat drejtpërdrejt të prekur, duke bërë që edhe kjo situatë tejet delikate të trajtohet në kufijtë e propagandës”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Sipas PD-së, në qytetin e Lezhës janë mbi 23 godina shumëkatëshe me dëme shumë serioze, deri në këto momente 16 prej tyre ku banojnë rreth 260 familje janë konstatuar të pabanueshme.
“Në qytetin e Lezhës, janë mbi 23 godina shumëkatëshe me dëme shumë serioze, deri në këto momente 16 prej tyre ku banojnë rreth 260 familje janë konstatuar të pabanueshme. Në njësitë e tjera administrative janë mbi 100 banesa private me dëmë serioze deri në të pabanueshme. Pallatet e vlerësuara të pabanueshme janë të gjitha ndërtesa të vjetra, ndërkohë ka objekte të tjera të pretenduara me dëme tejet serioze nga vetë banorët si dhe specialistë , për të cilat qëndrimet e inxhinierëve të Bashkisë Lezhë kanë qenë të ndryshme në kohë të ndryshme për objekte të njejta. Aktualisht, në Bashkinë Lezhë janë rreth 1300 banorë të pastrehë dhe pa asnjë zgjidhje përfundimtare konkrete”, vijon më tej deklarata.
Partia Demokratike i bën thirrje Bashkisë Lezhë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse, që të ezaurojnë me përpikmëri, profesionalizëm dhe në kohë të gjitha proçedurat për ti dhënë zgjidhje urgjente strehimit të familjeve të prekura nga tërmeti :
– Të përfundohet në mënyrë urgjente dhe profesionalizëm verifikimi i të gjitha godinave të dëmtuara: banesa private, pallate, institucione;
– Të përcaktohet përfundimisht dhe në mënyrë të saktë shkalla e dëmtimit të tyre;
– Të bëhet publik informacion i detajuar mbi të gjitha objektet: banesa private, godina shumëkatëshe apo institucione të konstatuara me dëme të rënda të pariparueshme strukturore.
– Të merren masa urgjente për strehimin real dhe të sigurtë të familjeve të pastreha, duke u siguruar atyre kushte për një jetesë normale.
-Të bëhet publike lista e familjeve që do të trajtohen me pagesën e qirasë si pasojë e dëmeve nga tërmeti.
– Të nisin sa më parë proçedurat për të garantuar strehimin përfundimtar të këtyre banorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.