Nga Ervin Kasaj* – E kemi përjetuar të gjithë shumë rëndë këtë tërmet, duke marrë parasysh që edhe në këto momente numri i viktimave vazhdon të rritet. Lutjet tona shkojnë për ata, që janë ende nën rrënoja, të dalin gjallë e sa më shpejt.
Një tërmet 6.3 i shkallës Rihter goditi Shqipërinë, në afërsi të qytetit të Durrësit, në orët e para të mëngjesit të së martës, më dt. 26 nëntor 2019. Ky tërmet zgjati 30 sekonda dhe kjo ishte arsyeja pse ishte kaq i frikshëm. Thellësia e këtij tërmeti ishte e madhe, rreth 38 km. Nëse do të kishte ndodhur më në sipërfaqje, kuptohet që efektet e tij do të ishin shumë më të mëdha. Nuk do të harrojmë këtu të përmendim dhe krahasuar, tërmetin e Italisë më 24 Gusht 2016 me Magnitudë 6 të shkallës Rihter me thellësi 8 km, ku pati 299 viktima.
Shqipëria është një territor i prekur vazhdimisht nga tërmetet dhe duke e ditur këtë gjë shumica e ndërtimeve në vend janë bërë pa njëfarë kriteri. Zonat në afërsi të bregdetit të Durrësit, Thumanës e Lezhës janë zona toke të ngopura me ujë, të papërforcuara dhe të dobëta. Ato gjenden përreth epiqendrës së tërmetit të ndodhur 6.3 të Shkallës Rihter. Këto zona të dobëta tronditen katër herë më shumë se pjesa tjetër, pasi toka e tyre është shndërruar thuajse në gjendje të lëngshme. Duke mos përballuar peshë, kjo gjendje e tillë dheu, në momentin kur pëson tronditje, shkakton shembje dhe fundosje të ndërtesave.
Bregdeti i Shqipërisë hyn në ato rajone të Europës të ekspozuara ndaj rreziqeve të rënda sizmike. Tërmetet në këtë rajon kanë të bëjnë me lëvizje të kontinentit të Afrikës drejt veriut. Pllaka kontinentale afrikane lëviz me disa milimetra në vit drejt Evropës. Këto përplasje kontinentale krijojnë tensione, shtyhen dhe hyjnë nën Ballkan (sidomos pjesët e mikropllakës së Adriatikut).
Tërmeti 6.3 i shkallës Rihter në afërsi të Durrësit, është “Reverse Fault”, e thënë ndryshe “thyerje tektonike e tipit “mbihipje””.
Tërmetet shfaqen kudo ku krijohen tensione në tokën e ngurtë. Këto tensione çlirohen përmes deformimeve të papritura me plasaritje të tokës (pra tërmet).
Pjesa më e madhe e energjisë sizmike çlirohet nga tërmetet tektonikë, që do të thotë nga tensionet e grumbulluara të lëvizjeve afatgjata të kontinenteve, lëvizje që e marrin impulsin nga procese të brendshme në thellësi të tokës.
E vetmja gjë që mund të bëhet kur ndodh një tërmet, është marrja e masave për parandalimin e dëmeve të mëtejshme nga dridhjet që pasojnë.
Njerëzit duhet të dëgjojnë ekspertët për banesat e tyre. Nuk duhet të shkojnë në banesa që një lëkundje e vogël mund të të rrezikojë. Njerëzit nuk duhet të lejohen të futen në banesa që janë dëmtuar.
Zoti e bekoftë Shqipërinë kudo që janë me flamurin më të bukur në botë.
*Sizmiolog, Geophysik GGD, Leipzig Deutschland
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.