Pas tërmetit të 26 nëntorit me magnitudë 6.4 që u shoqërua me 51 viktima, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar vendimin për heqjen e depozitave të ujit si dhe bonusin e qirasë për 606 familje.
Shtëpitë e familjeve në fjalë janë bërë të pabanueshme nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit. Për shkak të konstruksionit mbajtës të tarracave, që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e jetës dhe shëndetit të banorëve që jetojnë në këto objekte, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar edhe heqjen e të gjitha depozitave të ujit nga tarracat.
Bashkia e Tiranës do të udhëzojë që depozitat e përbashkëta të ujit të vendosen në ambientet e bashkëpronësisë në katet e para, duke i hequr nga tarracat.
Në fjalën e tij, para Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj tha se Tirana duhet të mësojë nga ajo që ka ndodhur pas tërmetit.
“Ju propozojmë një vendim të Këshillit Bashkiak, ku Bashkia emeton për të gjithë administratorët e pallateve dhe banorët e Tiranës një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat. Mbi tarracat e pallateve ka një peshë të jashtëzakonshme që është në mënyrë konstante rrezik për jetën e qytetarëve. Kjo histori ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë; ne nuk duam të jemi ata që nuk mësojmë nga historia, por që mësojmë prej saj. Ndaj, lipset të bëjmë disa gjëra me këtë vendim të KB: Së pari, marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët, në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha Veliaj.
Sipas këtij vendimi, depozitat në tarracë do të lejohen vetëm në rastet kur pas raportit që do të përgatitet me inxhinierë konstruktorë të licencuar, do të ketë miratohet nga shumica e asamblesë së bashkëpronarëve.
“Ne do të lejojmë depozita në tarracë vetëm nëse inxhinierët konstruktorë të liçencuar i japin aprovim administratorit të pallatit se tarraca e tyre është mjaftueshëm e fortë për të mbajtur atë peshë. Improvizime të tjera nuk do kemi. Kjo është arsyeja pse do i kërkojmë çdo asambleje të pallatit që me administratorin e tyre të bëjë këtë verifikim; do i japim leje të përshpejtuar kujtdo që do të bëjë depozitë të përbashkët të pallatit në katin përdhes, në lulishten apo brezin që ka pallati rreth e qark, por kurrsesi nuk do vazhdojmë me këto rreziqe”, tha Veliaj.
Një nga problematikat e hasura nga inxhinierët shqiptarë dhe të huaj në terren pas tërmetit me magnitudë 6.4 ishte pikërisht vendosja e depozitave të ujit në tarracat e pallateve, duke sjellë jo vetëm amortizimin e këtyre objekteve, por edhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Sa u përket bonuse të qirave, Veliaj tha se kanë kaluar edhe 606 bonuse qirash të tjera, që në total shkojnë në 1794.
“Më vjen mirë që deri sot kemi dhënë 1188 bonuse qiraje. Në disa prej tyre kemi qenë me kryeministrin dhe vetëm ideja që janë në një shtëpi më të mirë, duke lënë pallatin e shpallur të pabanueshëm, një pjese të madhe të tyre u ka tepëruar edhe qiraja sepse qiratë në Kinostudio ose Kombinat janë modeste, është zgjidhje afatshkurtër. Por, zgjidhja afatgjatë është ndërtimi i lagjeve të reja, dhe kur të vijmë këtu me propozimet finale të projekteve, do të kemi një situatë edhe më e mirë. Për ta mbyllur këtë projekt, që siç kemi premtuar, festat t’i gjejnë njerëzit e strehuar, sot kalojmë edhe 606 bonuse qirash të tjera, e në total shkojmë në 1794”, tha Veliaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.