Futboll

Tërbohen drejtuesit e Bajernit: Kundërshtarët po na sakatojnë!

Buzëqeshje të sforcuara, vështrime serioze dhe shqetësim. Të shohësh fytyrat e lojtarëve të Bajernit të Mynihut duket sikur je kthyer gati një vit pas. Më 28 shtator të vitit të kaluar u shkarkua trajneri Karlo Ançeloti, jo vetëm për humbjen 3-0 ndaj PSG-së, por edhe për prishjen e raporteve me “senatorët” e skuadrës. Tani situata në Mynih është krejtësisht ndryshe. Me trajnerin Kovaç në krye, bavarezët i kanë fituar 5 ndeshjet e deritanishme në kampionat. Nëse kroati fiton 3 ndeshjet e radhës, me Benfikën në Champions, dhe Shalken e Augsburgun në kampionat, do të barazonte rekordin e Ançelotit në sezonin 2016-17. Po atëherë, çfarë e shqetëson Bajernin? Dëmtimet, sepse janë shumë, janë të rëndë dhe nuk janë të rastësishëm.

Belarabi ndëshkohet me karton të kuq, pas ndërhyrjes ndaj Rafinjës

Të shtunën Bajerni fitoi 3-1 ndaj Leverkusenit dhe është i vetëm në krye të klasifikimit. Në pjesën e parë Toliso braktisi fushën, pas një përplasjeje me Volland. Në pjesën e dytë ishte Rafinja që u detyrua të dilte nga fusha pas një faulli të rëndë të Belarabit, që u ndëshkua me karton të kuq. Në mbrëmje klubi bavarez qartësoi shkallën e dëmtimeve dhe rezultoi se Toliso ka dëmtuar rëndë meniskun e gjurit të djathtë, kështu që duhet të qëndrojë disa muaj jashtë. Edhe dëmtimi i Rafinjës është serioz: braziliani ka dëmtuar ligamentin e kaviljes së majtë dhe nuk do të jetë gati për katër javë. Në javën e parë të kampionatit ndaj Hofenhajmit, bavarezët humbën francezin Koman, i cili këputi ligamentet nga një faull i rëndë i Shulz ndaj tij. Në ndeshjen e Superkupës kundër Eintrahtit, Alaba la fushën, pasi mori një goditje të fortë në gju, por më pas doli që nuk ishte një dëmtim serioz.

Uli Hënes, presidenti i Bajernit

Duke parë gjithë këto dëmtime, në klubin bavarez kanë krijuar bindjen se kundërshtarët, të nervozuar nga supermacia e Bajernit të Mynihut, ndërhyjnë shumë rëndë. Madje, drejtuesit e klubit të madh gjerman shkojnë edhe më tej, duke akuzuar se në ndonjë rast kundërshtarët luajnë edhe pisët. Trajneri Kovaç dhe presidenti Hënes kanë qenë shumë të ashpër në deklaratat e tyre: "Ndërhyrja e Belarabit është më shumë se një ndërhyrje për karton të kuq. Me shqetëson shumë kjo që po ndodh, jemi kthyer në “gjahun” e kundërshtarëve”, - ka thënë trajneri kroat. Durimin e ka humbur edhe presidenti Hënes, i cili ka theksuar: "Si Belarabi mund të ndërhyjë vetëm një i sëmurë mendor. Meriton tre muaj skualifikim për idiotësi". Fillon Championsi dhe Kovaç e aplikon shumë rotacionin, por tani i janë limituar zgjedhjet për të për shkak të dëmtimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë