Ka ndodhur

Tensione në Vlorë, familjarët e Mateos protestojnë në paraburgimin ku mbahet Klodian Çalamani

Familjarët e Mateo Vasiut, kanë protestuar këtë të diel para e ambinteve të paraburgimit në Vlorë, ku po mbahet Klodian Çalamani, i cili vrau dhe griposi 8-vjeçarin në Greçalli të Fierit.

Situata ka qenë e tensionuar, teksa në një moment nëna e Mateos, ka tentuar të kalojë kangjellat për të hyrë në ambientet e paraburgimit.

Ndërkohë që ka pasur një shtim të forcave të policisë, të cilët kanë rrethuar hyrjen kryesore të institucionit të vuajtjes së dënimit në këtë qytet. Familjarët mbanin në duar parrulla ku shkruhej “Drejtësi për Mateon”.

“Na e nxirrni, ore na e nxirrni”, “Duam  të drejtën e djalit, asgjë më shumë”, “Na e nxirrni tani”, ishin këto disa thirrma të familjarëve.

“Varje, varje”, ishin fjalët e përsëritura prej tyre njëzëri, ndërsa nëna e të ndjerit Mateo, tentoi të ngjitej sipër derës së hekurt për të kaluar në anën tjetër.

Kjo situatë solli përplasje, pasi në momentin që u has me kundërshtimin e efektivit, ajo i mori radion dhe ia përplasi në tokë.

Me pankarta në duar ‘Drejtësi për Mateon’ të afërmit, por edhe qytetarë të thjeshtë janë nisur në drejtim të Vlorës për të zhvilluar një protestë, ku për disa minuta kanë bllokuar qarkullimin në bulevard. Trafik i rënduar është krijuar, ndërsa disa prej qytetarëve kanë lënë makinat dhe kanë dalë në mbështetje të familjarëve të Mateos.

E njëjta situatë ndodhi edhe të premten në Gjykatën e Fierit, ku familjarët hynë me forcë në ambientet e saj dhe kërkuan që autori të dënohet me vdekje. Situata doli jashtë kontrollit, ku policia e kishte të pamundur të zmbrapste familjarët.

Në këto kushte, gjykata vendosi të japë masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë për çalamanin.

Me frikën e një hakmarrjeje të mundshme në ambientet e paraburgimit të Fierit, Çalamani u transferua në ambientet e dënimit të Vlorës për më shumë siguri.

Familjarët e Mateos kanë nisur ndërkohë mbledhjen e firmave të qytetarëve në disa qytete të ndryshme ku kërkojnë dënimin kapital të Çalamanit.

Më 16 nëntor 2021, Klodian Çalamani 38-vjeç, rrëmbeu, vrau dhe groposi 8-vjeçarin Mateo Vasiu, në fshatin Grecalli të Fierit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë