Ka ndodhur

Tension para Gjykatës së Fierit/ Familjarët e Mateos kërkojnë dënim me vdekje, ‘arrest me burg’ në mungesë për vrasësin (Foto)

Incidentet dhe tensionet e krijuara mëngjesin e të enjtes në Gjykatën e Fierit prej disa orësh nga familjarët e 8-vjeçarit Mateo Vasiu, që u vra barbarisht nga fqinji i tij, kanë detyruar gjykatën të japë masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Klodian Çalamanin.

Për shkaqe sigurie, seanca është zhvilluar pa praninë e autorit të krimit monstruoz që ndodhi dy ditë më parë në fshatin Greçalli të Fierit.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja, Sonila Hoxha, e cila pranoi kërkesën e prokurorit Çlirim Sino për caktimin e masës së “arrestit në burg”.

Vendimi i është komunikuar Klodian Çalamanit në ambientet e Policisë së Fierit nga një oficer policie. Vrasësi nuk u paraqit në gjykatë, pasi policia nuk merrte përsipër garantimin e jetës në situatën e krijuar rreth Gjykatës së Fierit.

Vetë Çalamani nuk ka pranuar të paraqitet në gjykatë, duke lëshuar një autorizim për t’u mbrojtur në seancë nga një avokat të caktuar nga shteti.

Me këtë vendim, policia dhe gjykata kanë shmangur një konfrontim fizik të forcave të policisë dhe personave që ishin mbledhur në gjykatë, që mund të shkaktonte incidente të pashmangshme.

Pak para seancës gjyqësore për masën e sigurisë ndaj Klodian Çalamanit, që ishte caktuar në orën 10:30, familjarët e 8-vjeçarit Mateo Vasiu, kanë thyer derën dhe janë futur me forcë në ambientet e Gjykatës së Fierit.

Për disa minuta me radhë ata u përleshën me policinë, duke kërkuar të jenë të pranishëm në sallë. Pas shumë përpjekjeve uniformat blu arritën t'i nxjerrin jashtë.

Ata kërkuan të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit për t'u përballur me vrasësin e vogëlushit. Kjo ka sjellë përplasje me forcat e policisë, të cilët nuk i lejuan të futen.

Forcat e sigurisë kanë rrethuar perimetrin ku ndodhet gjykata dhe morën marrë masa për të ndaluar incidentet. Të revoltuar me krimin makabër ndaj të miturit, familjarët e 8-vjeçarit kërkojnë dënim me vdekje për Klodian Çalamanin.

Në mbështetje të tyre, përpara Gjykatës së Fierit ishin mbledhur edhe qytetarë të tjerë, të cilët janë të shokuar nga ngjarja e rëndë e vrasjes dhe groposjes së 8-vjeçarit.

“Jam nëna e djalit që më vranë. Kërkoj varje në mes të qytetit”, - thotë nëna e vogëlushit 8-vjeçar, që iu mor jeta padrejtësisht nga fqinji.

“Ne kërkojmë vetëm drejtësi. Sot ishte fëmija jonë, nesër mund të jetë i juaji. Fëmijët janë e ardhmja, nuk mund të vriten. Përse kërcënohemi, ku është drejtësia,” thonë të afërmit. Ata janë shprehur se qëndrimi në burg do të jetë “hotel” për Çalamanin.

Halla e 8-vjeçarit, ka treguar gjithashtu edhe rrethana nga dita e krimit, se si Klodian Çalamani bënte sikur interesohej për zhdukjen e Mateos, kur djalin e kishte groposur në oborrin e shtëpisë së tij.

Sipas saj, vrasësi duhet të bëhet shembull dhe të vendoset dënimi me vdekje për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen.

Ngjarja që tronditi vendin ndodhi më 16 nëntor 2021 në fshatin Grecalli të Fierit. Klodian Çalamani, rrëmbeu, vrau e më pas e groposi në oborrin e banesës së tij, 8 vjeçarin Mateo Vasiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë