Para

Tenderat, dëm 2.7 milionë euro buxhetit

Raporti më i fundit i KLSH-së (Kontrollit të Lartë të Shtetit) për gjashtëmujorin e parë të vitit tregon se moszbatimi i procedurave në dhënien tenderave publikë dhe kontratave, si një shqetësim permanent i ka shkaktuar buxhetit 336 milionë lekë apo gati 2.7 milionë euro dëm.

KLSH thotë në raport se dëmi është konstatuar si në fazën e zhvillimit të procedurave të prokurimit, ashtu edhe në fazën e zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve.

Problematikat e konstatuara nga auditimet lidhen jo vetëm me planifikim jo të drejtë të nevojave, por edhe një proces të realizuar jo në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi. Ato i referohen implementimit jo të saktë të kërkesave dhe detyrimeve ligjore nga entet publike që prokurojnë fondet përmes sistemit të prokurimit publik, fakt që sipas KLSH lidhet edhe me kapacitetet njerëzore jo gjithmonë profesionale, që përfshihen në realizimin e këtij procesi.

Sipas raportit, dëmi prej  270.6 milionë lekë është shkaktuar në fazën e realizimit të procedurave të prokurimit, nga 9 subjekte, shkelje të cilat kanë rezultuar në plotësimin e kritereve të kualifikimit, në skualifikimet e ofertuesve, në hapjen e shqyrtimin e ofertave, në ofertat anomalisht të ulta dhe zhvillohen procedura prokurimi me një pjesëmarrës dhe fitues njëkohësisht.  Ndërsa vlera tjetër prej 65.3 milionë lekësh është  konstatuar në zbatimin e punimeve nga 8 subjekte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë