Lajme

Telefonata zbulon arsenal armësh të flakura në koshin e plehërave

Një "alo" në sallën operative ka vënë në lëvizje policinë në kryeqytet, e cila pas udhëzimeve të një qytetari ka zbuluar një arsenal të vërtetë armësh.

Mund të mendohet se municionet ishin fshehur mirë në ndonjë tunel apo në çfarëdolloj mënyrash. Në fakt, jo. Municionet u konstatuan të flakura në një kazan mbeturinash.

Siç raportojnë burimet për gazetën “Si”, municionet janë gjetur pas njoftimit të një punonjësi të pastrimit të qytetit, i cili ka parë fishekët dhe granatat në kazanët e mbeturinave në rrugën “Dervish Hekali”. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se “të panjohurit” kishin flakur tetë copë krehra automatiku bosh, pesë copë granata dhe katër copë ndezëza që përdoren për granata.

Por, ndërsa një burim thotë se në kazanë u gjetën edhe mbi një mijë copë fishekë, ky version nuk konfirmohet nga policia, e cila pranon që në kazanin e mbeturinave janë gjetur disa fishekë, por pa e specifikuar numrin e tyre. Gjithashtu, policia nuk pranon që në kazanë të jenë gjetur granatat, për të cilat një nga pjesëtarët e grupit të hetimit këmbëngul se janë sekuestruar si prova materiale dhe janë dërguar për ekspertizë në laboratorin e kriminalistikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë