Art dhe Kulture

Teatri Kombëtar hap dyert për spektatorë me maska, të vaksinuar dhe me vende bosh

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, në një intervistë për Gazetën "Si", rrëfen realitetin e ri

Nga Luljeta Nelallari - Publiku me maskë në sallë, vende të lëna bosh, dhe 30% e kapacitetit në ndenjëset teatrore. Kështu pritet që Teatri Kombëtar t’i sjellë premierat e këtij viti në interier (sallat e brendshme), pasi është sfiduar prej një viti me mbyllje nga pandemia.

Për drejtorin e Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, me rëndësi tashmë është që do të rifillojnë vëniet skenike me rregulloret në fuqi, ndonëse nuk përjashton mundësinë që edhe këto vënie skenike mund të zgjasin pak, duke pranuar realitetin e ri të shkaktuar nga pandemia.  

Në një intervistë për Gazetasi.al, kreu i institucionit kryesor të artit skenik në vend, tregon edhe sfidat për rifitimin dhe rikthimin e publikut në Arturbina. Në këto vite drejtimi të tij, administratori i Teatrit Kombëtar thotë se Teatri ka ndryshuar gjeneracion.

Edhe pse prej dy vitesh, drejtori është strehuar bashkë me trupën e aktorëve në godinën alternative, ai nuk ka një përgjigje dhe sa kohë do qëndrojnë aty e as për ndonjë gjurmë të godinës së premtuar. Për të e rëndësishme është të bëhet art.

Tashmë që ka nisur edhe sezoni i ri artistik, cilat janë premisat për këtë sezon për Teatrin Kombëtar?

Teatri Kombëtar e ka hapur sezonin artistik të 2021-shit, pas pandemisë me premierën e “Fermës së Kafshëve”, e cila u dha në Amfiteatrin e Liqenit Artificial. Tashmë gjatë muajit shtator vazhdojmë me këtë shfaqje, turne në Durrës dhe rikthehemi prapë në Amfiteatrin e Liqenit. Pastaj ne kemi një shfaqje prapë të përmasave shumë të mëdha, si “Edmond”, tekst francez me regji të Indrit Çobanit dhe Andia Xhungës, premiera e të cilit është më 15 tetor dhe pastaj e mbyllim me “Coriolanus”, shfaqja e William Shekspir, me regji nga Altin Basha më 17 dhjetor.

Sezoni i verës lejoi që shumë shfaqje teatrale të vinin për publikun në skena të improvizuara në natyrë, po tani si është menduar të realizohen shfaqjet? A do të ketë sërish shfaqje online?

Ne për dy vjet pa diskutim kemi qenë pjesë e një alternative online, si të gjithë bota teatrale europiane. Edhe në eksterier dëshira e madhe për të filluar sezonin na shtyu që të gjejmë një atelie të ri që është kthyer në një atelie të ri të Tiranës që ishte Amfiteatri i Liqenit. Teatri Kombëtar nuk mund të krijojë atelie të improvizuar me shfaqje të vogla. Teatri Kombëtar është teatri i marshtabeve të mëdha. Kështu që në këtë drejtim ne do të vazhdojmë tashmë në salla të mbyllura, sepse më 1 korrik ne kemi një urdhër nga qeveria shqiptare që sallat me kapacitete të reduktuara do të fillojnë funksionimin e tyre dhe prandaj do të kemi shfaqje në interier, dhe ‘Edmond’ edhe ‘Corolianus’, pra shpresojmë të fillojë jeta normale.

Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar

Duke qenë se jemi ende në kushtet e pandemisë, si është menduar të veprohet me publikun, sa do të jetë kapaciteti në salla? A duhet të paraqiten spektatorët me test negativ?

Për momentin në rregulloren që ne kemi hartuar me Ministrinë e Kulturës, pika e testit nuk është vendosur akoma. Kjo është një pjesë e bisedave që tani me vendosjen e qeverisë së re ne do të kemi komunikime me Ministrinë e Kulturës, por kemi një rregullore, e cila është e detyrueshme të zbatohet, e cila parashikon të gjitha kufizimet e nevojshme që kanë lidhje me pandeminë, që tek mbërritja te dera e publikut, pjesa e dezinfektimit, e maskës, e vendeve në sallë që janë me 30% të kapacitetit me distancat përkatëse, pra d.m.th ne kemi një rregullore të aprovuar. Pjesa që lidhet me pasaportizimin e publikut është një gjë që do ta shohim në vazhdim sepse ajo nuk ka qenë pjesë e rregullores në momentet e para që u hartua.

Po me aktorët? A duhet të jenë ata të pajisur me pasaportë vaksinimi?

Edhe ky nuk është akoma një urdhër taksativ nga qeveria, por ne kemi bërë përpjekjet tona që të gjithë aktorët, duke qenë se janë pjesë edhe e provave, jo vetëm e spektaklit, të vaksinohen. Pa dyshim nuk janë vaksinuar të gjithë, ka edhe nga ata që janë skeptikë në këtë drejtim, por nuk i takon Teatrit Kombëtar të urdhërojë.

A do të shoqërohet ky sezon me lëvizje të mëdha apo do të ruhet bërthama e Teatrit? Cilët janë aktorët që riktheni në Teatër? Po prurjet e reja?

Ky institucion është një institucion që nuk mund të ketë lëvizje të mëdha në një vit. Ky është një institucion që tashmë në 8 vjet, po flas vetëm për stafin e aktorëve, ka 22 aktorë të rinj. Pra kemi të bëjmë me një ndryshim gjeneracioni. Pa dyshim që Teatri Kombëtar është i prirur rreth aktorëve të rinj, sepse gjithmonë ata janë pjesa e burimit të energjisë për ta çuar përpara një institucion. N.q.s vështroni produksionet vit pas viti të Teatrit rreth 60-70% janë aktorë të rinj.

Para dy vitesh, ju u strehuat bashkë me trupën e aktorëve, në godinën alternative të arteve skenike “Arturbina”, edhe sa kohë do të qëndroni në këtë godinë?

Këtë unë nuk e di. Kjo varet nga ndërtimi i Teatrit të Ri, për aq kohë sa do të zgjasë ndërtimi ne do të qëndrojmë këtu. Se sa do qëndrojmë pyesni Erion Veliajn ose Edi Ramën, është kompetencë e tyre.

Cilat janë sfidat tuaja më të mëdha në këtë sezon, duke qenë se jemi nën pandemi?

Besoj që rikthimi i shfaqjeve të mëdha dhe rikthimi dhe rifitimi i publikut, gjë që për dy vjet, të gjithë institucionet publike në kuptimin interaktiv, pra në salla e humbën. Kjo është sfida më e madhe e një institucioni si Teatri Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë