Analize

Teatri absurd i negociatave në Bruksel, Maqedonia e Veriut nuk i ka nisur. A e ndau BE-ja nga Shqipëria?

Zyrtarisht u tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën të martën në Bruksel negociatat e anëtarësimit në BE. Por, praktikisht këto negociata nisën vetëm për Shqipërinë.

Paraditen e së martës, përfaqësuesit e BE-së dhe delegacionet e dy vendeve zhvilluan konferencat e para ndërqeveritare. Në gjuhën burokratike të Brukselit, këto konferenca janë formale dhe konsiderohen si nisja e procesit.

Por, nëse për Shqipërinë pasditen e së martës u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare dhe nisja formale e negociatave me grupet teknike, ku u përcaktua udhërrëfyesi i bisedimeve me kapitujt e shtetit ligjor dhe të së drejtës që do të hapën të parët dhe mbyllen të fundit, për Maqedoninë e Veriut nuk pati një të tillë.

Arsyeja? Për nisjen formale të negociatave, Shkupi duhet më së pari që të përfshijë në Kushtetutën e vet minoritetin bullgar. Problemi është se shumica aktuale nuk i ka dy të tretat e votave në Parlament, aq sa kërkohen për të ndryshuar Kushtetutën.

Pra, në të vërtetë, sipas një analize të DW, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë ndarë. Për shumë ekspertë dhe analistë pro-europianë në Shkup, kjo është një goditje që jo vetëm shton oreksin e kërkesave absurde të Bullgarisë, por do të ushqejë edhe partitë opozitare nacionaliste që muajt e fundit po përforcojnë gjuhën anti-BE.

“Pjesa më e madhe e maqedonasve në Maqedoninë e Veriut janë të ofenduar, sepse Bullgaria nuk i njeh ata si komb dhe nuk u njeh as gjuhën. Me ndihmën e Francës dhe vendeve të tjera europiane, Bullgaria ja doli që të imponojë këndvështrimin dhe interpretimet e saj të historisë, duke kushtëzuar de fakto progresin e Maqedonisë së Veriut në këto negociata”, shkruan Boris Georgievski, kreu i shërbimit maqedonas të DW.

Sipas tij, termi absurditet është i vetmi term i duhur për të përshkruar kornizën e negocimit të Maqedonisë së Veriut. Në të, Bullgaria pretendon se maqedonishtja nuk ekziston si gjuhë, që është një dialekt i bullgarishtes.

Për më tepër, udhëheqësit bullgarë nuk i kanë fshehur asnjëherë interesat e tyre.

“Ne nuk do të lejojmë legjitimimin e maqedonizimit në BE”, deklaroi gjatë muajit maj në Berlin, Presidenti bullgar, Rumen Radev.

Me termin “maqedonizim”, Bullgaria përshkruan një ideologji që në mënyrë artificiale dhe forcërisht transformoi bullgarët në maqedonas pas Luftës së Dytë Botërore.

Ky qëndrim bullgar, sipas ekspertëve dhe analistëve në Shkup e vendos vendin e tyre përballë zgjedhjes për të mos negociuar identitetin dhe për të mos u anëtarësuar në BE. Ata paralajmërojnë se nëse BE do të vazhdojë që të mbështesë kërkesat e Bullgarisë, shpejt mund ta kenë Maqedoninë e Veriut kundërshtare dhe jo partnere.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë