Bota

Të shtëna me armë në një shkollë turke, nxënësi plagos 16 persona dhe vetëvritet

Gazeta Si – Të shtëna me armë zjarri, u regjistruan këtë të martë brenda një shkolle të mesme në Sanliurfa, në juglindje të Turqisë, pranë kufirit sirian. Një nxënës hapi zjarr ndaj atyre që ishin brenda shkollës, duke plagosur të paktën 16 persona.

Sipas burimeve nga mediat turke, agresori, i cili sipas guvernatorit lokal, Hasan Sildak është një nxënës 18-vjeçar në të njëjtën shkollë, pasi është grindur me një shok, raporton NTV e Sanliurfës, është drejtuar drejt godinës, duke mbajtur një armë me tytë të gjatë dhe duke qëlluar rastësisht, fillimisht në oborr dhe pastaj brenda ndërtesës.

“Individi”, – njoftoi Ministria e Brendshme Turke, “i cili kreu sulmin me pushkë, më pas kreu vetëvrasje me të njëjtën armë. Forcat tona të sigurisë kanë nisur një hetim të plotë për incidentin dhe zhvillimet do t’i komunikohen publikut”.

“Zyra e prokurorit po ndjek procedurat ligjore. Të gjitha detajet do të sqarohen me qëllim gjurmimin e origjinës dhe rindërtimin e asaj që ndodhi”, – shtoi guvernatori.

Pas alarmit në shkollën “Ahmet Koyuncu” në lagjen “Hasan Celebi” të Sanliurfas, në rrethin Siverek, ekipet speciale të policisë dhe xhandarmëria u dërguan në vendngjarje, së bashku me ekipet e ndihmës së shpejtë.

Ministria e Brendshme Turke, e cituar nga NTV, e identifikoi sulmuesin si Ö.K., i lindur në vitin 2007, një nxënës në shkollë.

Ministria raportoi 16 të plagosur – 10 nxënës, katër mësues, një oficer policie dhe një punonjës mense – të gjithë “të transportuar në Spitalin Shtetëror të Siverek për trajtim mjekësor”.

“Për fat të mirë, nuk janë raportuar viktima. Katër nga të plagosurit janë në gjendje të moderuar dhe janë transferuar në spitalet në kryeqytetin e provincës. Trajtimi po vazhdon për 12 të plagosur”, tha guvernatori, Hasan Sildak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë