Futboll

Të shkojnë, a të mos shkojnë në Rusi? Dilema e madhe e tifozëve anglezë

Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit gjithmonë reflektohen në fushën e sportit dhe loja e fundi “tërhiq e mos e këput” mes Moskës nga njëra anë dhe Bashkimit Europian e Shteteve të Bashkuara nga ana tjetër nuk bën përjashtim.

Më 13 qershor nis kompeticioni më i rëndësishëm i futbollit, Kupa e Botës. Shtetet e Bashkuara nuk ja dolën që të kualifikoheshin për në këtë turne, por Anglia është aty. Huliganët rusë, që në grupe të organizuara dhe me raste edhe të mbështetur nga autoritetet e sigurisë thonë se “kanë disa hesape pa larë” me tifozët anglezë, “hesape” të mbetura që nga trazirat e shkaktuara në Europianin francez të 2016, para, gjatë dhe pas ndeshjes mes tyre në Marsejë.

Nisur nga kjo situatë, kryeredaktori sportiv i The Guardian, Philip Cornwall ka lëshuar që në muajin mars rrezikun që u kanoset tifozëve të Anglisë në botërorin rus.

Analiza

Mjafton të kujtojmë se tifozë të Anglisë gjatë Europianit 2016 në Francë u bënë subjekt i sulmeve të tmerrshme, përfshi edhe dëmtime jetike në tru në dy raste nga huliganët rusë, që morën një kurajo që vështirë të fshihej, e ndoshta edhe një trajnim ushtarak.

Ka shumë arsye të qenësishme që të mos ndërmerret ky udhëtim drejt Rusisë, edhe për tifozë besnikë si unë, që nuk kanë humbur asnjë kompeticion të rëndësishëm në Europë që prej vitit 1990. Me mijëra tifozë anglezë kanë shpenzuar shifra marramendëse dhe të pakompensueshme vetëm e vetëm që të mos mungojnë në Botërorin e kësaj vere, pavarësisht se mundësitë për mungesën e tyre në mbështetje të “Tre Luanëve” në Kaliningrad, Volgograd e kudo tjetër po rriten ndjeshëm nga dita në ditë.

Kur huliganët rusë sulmuan anglezët përpara ndeshjes mes këtyre dy vendeve në Marsejë, autoritetet franceze komentuan gjatë natyrën tejet të organizuar të grupit agresorëve, disa prej të cilëve mbanin mburoja gome dhe doreza të ndryshme të arteve marciale dhe lëviznin gjatë përplasjeve në mënyrë të organizuar dhe nën komandat e “shefit”.

Pati për fat të keq edhe shumë trazovaçë britanikë! Por, ka një dallim të madh mes disa personave të dehur nga njëra anë dhe rusëve të organizuar me shufra metalike dhe çekiçë, që tentonin t’u dëmtonin tendinën e Akilit kundërshtarëve, në mënyrë që të mos kishin mundësi të largoheshin. Huliganët anglezë u dënuan me të drejtë nga autoritetet britanike, por përgjigjja ruse ishte shumë larg ndëshkueshmërisë.

Huliganët rusë gjatë përleshjeve me ata anglezë në Marsejë. 2016

Deputeti rus Igor Lebedev, një anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ruse të Futbollit (RFU) shkroi në “Twitter”: “Nuk shoh asgjë të gabuar në luftimet mes fansave. Përkundrazi, bravo djema! Vazhdoni kështu”.

Udhëheqësi famëkeq i ekstremit të djathtë të huliganëve rusë, Alexander Shprygin u desh të deportohej dy herë, pasi ishte lejuar nga rusët që të rikthehej në Francë.

Trazirat nuk ishin diçka e papritur. Ndoqa të tre ndeshjet e tjera të Anglisë në “Euro 2016” dhe mungova në ndeshjen e luajtur në Marsejë, kryesisht për arsye sigurie. Anglia kishte luajtur për herë të fundit me Rusinë në tetor të vitit 2017, kur tifozët miq në Moskë u përzgjodhën në mënyrë të rastësishme. Miqtë e mi që shkuan atje më thanë se u mbuluan nga një breshëri sendesh të forta të hedhura në drejtim të tyre. Edhe ndeshjet e tjera kur luajnë klubet ruse, qofshin këto për kompeticione vendase, apo europiane, shpesh shenjohen nga skena të tmerrshme dhune që ne nuk i kemi parë kurrë në Mbretërinë e Bashkuar.

Autoritetet ruse thonë se kanë ushtruar kontrolle dhe kanë goditur huliganët në prag të Kupës së Botës, por duke parë se ata nuk i dënuan skenat në Marsejë, vështirë se mund të merren seriozisht këto pretendime.

Banda të organizuara gangsterësh përleshen vazhdimisht. Në shtator të vitit të kaluar, një tifoz i Spartakut të Moskës lëshoi një flakadan nga një distancë prej 60 metrash në drejtim të arbitrit, gjatë një ndeshjeje të Champions League me ekipin slloven të Mariborit. Në shkurt, huliganët e Spartakut u përleshën në rrugët e Bilbaos përpara një ndeshjeje të Europa League.

Racizmi atje është përhapur dhe është shndërruar në normë dhe po aq të zakonshme janë bërë edhe koret ofenduese dhe bananet që hidhen në fushat e lojës. Absurdi qëndron në faktin se klubet ruse janë sanksionuar vazhdimisht nga UEFA për racizëm në kompeticionet europiane, por Federata Ruse e Futbollit ka pezulluar lojtarët me ngjyrë për reagimet mes mërzisë për abuzimin ndaj tyre. Në muajin shkurt, Spartaku i Moskës hodhi në llogarinë zyrtare të “Twitter”-it një foto të lojtarit të tyre brazilian që stërvitej nën rrezet e diellit, me mbishkrimin shoqërues “Shikoni sesi çokollatat shkrihen nën diell”.

Vendimi për t’i dhënë Rusisë të drejtën e organizimit të Kupës së Botës është marrë nga FIFA e tronditur më pas nga vala e arrestimeve dhe dënimeve për korrupsion, përfshi këtu edhe ish-kreun e saj, Sepp Blater. Por, përsa kohë që reagimi ndaj Rusisë, duke nisur nga ngjarja në Salisbury (helmimi i ish-agjentit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Julia) e deri te sulmet kibernetike të përshkallëzohet dramatikisht (sugjeron bojkotin e botërorit në “Rusi 2018”), atëherë shumë tifozë britanikë do të shkojnë atje, duke rrezikuar përsëritjen e skenave që kemi parë në Marsejë.

Unë nuk do të jem, ose më e pakta me shumë mundësi jo! Një pjesë e imja mendon se nuk ia vlen të rrezikoj, e nga ana tjetër, nëse shkoj do të përplasesha me mendimin tim që dhënia e Botërorit Rusisë ishte një gabim.

Pas më shumë se 25 vitesh që e kam parë Anglinë të dështojë anembanë botës, e urrej faktin se mund të humbas një sukses të mundshëm. Nëse “Tre Luanët” do të shkojnë në gjysmëfinale, atëherë do të marr avionin e do të shkoj me patjetër. Do të shkoj, edhe pse e di se nuk është vetëm ngjarja e Salisburyt ajo që ngre dyshime për përshtatshmërinë e organizatorëve të Kupës së Botës 2018. Një tifoz i Manchester United që shkoi në Rostov për ndeshjen e Europa League, vitin e kaluar u trondit kur pa të printuar në dhomën e tij të hotelit një udhëzues se si të vepronte nëse merrej peng.

Me Kupën e Botës në Rusi, FIFA ka marrë peng shpresat e mia, e sigurisht edhe ato të çdo tifozi futbolli në Angli.

The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë