Keshilla

Të sëmurët kronikë, si do t’i marrin ilaçet në farmaci

Teksa në vendin fqinj Itali, e cila është e gjitha në karantinë, për të sëmurët kronikë Kryqi i Kuq po u shërben në shtëpi si për medikamentet, ashtu edhe ushqimet, në Shqipëri Ministria e Shëndetësisë ka gjetur një zgjidhje tjetër.

Në kuadër të situatës së krijuar nga COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë një urdhër për aksesimin e medikamenteve për të sëmurët kronikë.

Sipas urdhrit, mjeku gjeneron recetën përkatëse në sistemin e recetës elektronike eRx dhe i komunikon pacientit kodin e recetës me të cilën paraqitet në farmaci.

Në rastet e patologjisë akute, patologjive të reja kronike etj, mjeku realizon vizitën në qendrën shëndetësore ose pranë banesës së pacientit. Në rastet e prezencës së pacientëve pranë institucioneve shëndetësore publike duhet të respektohet në mënyrë rigoroze perimetri i sigurisë dhe distanca midis pacientëve dhe ofruesve të shërbimit, jo më pak se 1,5 metra distancë.

“Mjekët e spitalit rajonal/bashkiak kontaktojnë me pacientët kronikë për tërheqjen e barnave pranë farmacisë së spitalit. Për rastet kritike komunikim me specialistët e QSUT nëpërmjet Telemjekësisë. Respektoni rregullat e reja. Kufizoni lëvizjet e panevojshme”, informon Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor.

Janë 8695 profesionistë shëndetësorë në Kujdesin Parësor janë në gatishmëri për t’iu shërbyer pacientëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë