Ngjarje

“Të rinjtë duhet të marrin drejtimin e Ballkanit Perëndimor”

"Western Balkans Youth Lab”- projekti i Këshillit për Bashkëpunim rajonal për ti mbajtur në Ballkan të rinjtë dhe për tu dhënë rëndësinë që meritojnë

“Western Balkans Youth Lab” është projekti më i ri i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) që do të krijojë “Laboratorët Rinorë të Ballkanit Perëndimor”, për të punuar së bashku me politikë-bërësit që të përfshijë të rinjtë në vendimmarrje të çështjeve të rëndësishme, të përbashkëta për gjithë rininë e rajonit: si punësimi, sipërmarrja, arsimimi etj.

“Western Balkans Youth Labs” është një projekt 3-vjeçar që financohet nga Bashkimi Europian me vlerën 1.5 milion euro dhe implementohet nga RCC.

Projekti synon të sigurojë mundësinë që të rinjtë të marrin pjesë në vendimmarrje në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor: (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Serbi dhe Maqedoni e Veriut), vende në të cilat rinia përbën 21.27% të popullsisë.

RCC sqaron se projekti “Western Balkans Youth Lab” është rezultat i rritjes së vazhdueshme të vëmendjes së qeverive të Ballkanit Perëndimor për çështjet e rinisë, i cili është prezantuar gjithashtu në “Sofia Priority Agenda”.

Të dhënat e “Balkan Barometer” tregojnë se 50% e të rinjve në rajon as nuk e diskutonin mundësinë që të mund të ndikonin në marrjen e vendimeve të qeverisë. 32% të të rinjve as nuk u interesonte kjo gjë, sipas “Balkan Barometer”.

Shifra për të cilat RCC thotë se duhet të ndryshohen dhe këta të rinj duhet të përgatiten sot për t`u përshtatur nesër.

“Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në 2018-ën e vuri theksin në krijimin e mundësive të mëtejshme për të rinjtë për t“u mundësuar atyre kontribuimin në zhvillimin socio-ekonomik në Ballkanin Perëndimor dhe bëri thirrje për krijimin e projektit “Western Balkans Youth Lab”, në mënyrë që të sigurohet hapësirë për politikë-bërje inovatore me qëllim adresimin e çështjeve të të rinjve dhe trajtimin e “ikjes së trurit”.”- thotë Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.

Gjatë zbatimi të projektit RCC do të bashkëpunojë ngushtësisht me administratat kombëtare, Këshillat Kombëtar të Rinisë, organizatat rinore, donatorët dhe palët e interesuara.

Më Shumë