Politike

Sot negociatat PS-opozitë për Presidentin, raundi i parë mund të kryhet pa kandidat  

Mazhoranca dhe opozita do të ulen të premten në tryezë për të diskutuar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, dy ditë para skadimit të afatit për depozitimin emrave për raundin e parë të votimit në Kuvend. 

Takimet ndërmjet kryetarëve të grupeve parlamentare do të zhvillohen të ndara.

Në orën 09:00 pritet që të mbahet takimi mes kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe Mesila Dodës.

Takimi do të vijojë me Fatmir Mediun në orën 10:00 dhe në 11.00 është parashikuar biseda me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Paraprakisht mësohet se PS-ja mund të shkojë pa emër kandidati në tryezë duke ia lënë opozitës të propozojë e para.

Raundi i parë i votimit quhet i vlefshëm edhe kur gjatë votimit nuk paraqitet asnjë kandidat.

“Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës.

Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj”, thuhet në Kushtetutë.

Te hënën nis raundi i parë i votimit në Kuvend për Presidentin


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë