Njerez

Të mos çregjistrosh dot nënën e vdekur, apo të regjistrosh fëmijën e lindur jashtë… Kalvari i shqiptarëve me regjistrat civilë

Shtetas shqiptarë që jetojnë në Shqipëri por nuk figurojnë të regjistruar ligjërisht, ose qytetarë, të cilët duan të çregjistrohen apo çregjistrojnë të afërmit e tyre por nuk arrijnë ta bëjnë diçka të tillë… Kjo është diçka që ndodh shpesh në Shqipëri ndërsa qytetarët përballen me një sërë procedurash apo burokraci të sistemit civil.
Të tilla janë situatat e mëposhtme ku një grua nuk arrin të çregjistrojë nënën e saj të vdekur, ndërsa një tjetër grua nuk arrin të regjistrojë vajzën e saj.

E larguar disa vjet më parë nga Shqipëria dhe tashmë e rikthyer në vendlindje, prej dy vitesh B.K sorollatet zyrave të gjendjes civile.

Ajo shpjegon se nuk po mundet të çregjistrojë nga regjistrat e gjendjes civile nënën e saj, e cila ka ndërruar jetë dy vjet më parë në Belgjikë.

Arsyeja për diçka të tillë ka të bëjë me atë se në aktin e vdekjes të hartuar nga institucionet belge është shënuar gabim viti i lindjes së nënës së B.K.

Megjithatë një gabim i tillë i autoriteteve belge po i kushton së tepërmi zonjës në fjalë.

“Në këtë situatë e mbështetëm zonjën duke i hartuar kërkesë-padinë dhe përfaqësuar në gjykatë për ç'regjistrimin e nënës nga regjistrat gjendjes civile.”,- shpjegojnë përfaqësues të organizatës Drejtësi Sociale, ndërsa bëjnë me dije se ndihma ofrohet në kuadër të projektit ‘Mbrojtja ligjore mjet për organizimin komunitar të komunitetit rom dhe egjiptian’, mbështetur nga Fondacioni Shoqeria e Hapur per Shqiperine

Situata të tilla ku qytetarët përballen me vështirësi proceduriale të këtij lloji ngjan se nuk janë të veçuara.

I tillë është edhe rasti i një gruaje, nënë e një vajze gjashtëvjeçare.

E martuar 10 vjet më parë dhe më pas e divorcuar nga partneri menjëherë pas lindjes së fëmijës së saj, vajza vazhdon të mos jetë e regjistruar në gjendjen civile me mbiemrin e të atit, pasi kur lindi në Greqi, ajo kishte mbiemrin e bashkëshortit të atëhershëm të zonjës, ndërkohë që zonja në fjalë është martuar me tjetër person (babai i vërtetë i vajzës), por nuk arrin të ndërrojë mbiemrin e së bijës.

Të dyja rastet janë të tilla që zonjat në fjalë i janë drejtuar gjykatës për t’i zgjidhur, megjithatë, në jo pak raste, situata të tilla mbeten pezull dhe pa zgjidhje për vite të tëra dhe diçka e tillë nuk ndodh rrallë.

Ajo që vihet re është se shumë prej këtyre rasteve ndodhin te personat e komunitetit rom dhe egjiptian, ndërkohë që po këta persona e kanë më të vështirë t’i ndjekin çështjet ligjërisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë