Futboll

Të mëdhatë nuk gabojnë, Napoli befason Liverpool në fund

Janë luajtur edhe ndeshjet e të mërkurës në raundin e dytë të Champions League. Të ndara në dy orare, pasdite në 18:55 dhe në mbrëmje në ora 21:00, ndeshjet e kësaj të mërkure kanë dhuruar shumë gola dhe spektakël, por kanë munguar surprizat e mëdha. Ekipet pretendente kanë bërë detyrën, duke marrë tre pikët e radhës dhe konsolidojnë pozitat e tyre. E vetmja ndeshje që ndoshta ka dalë jashtë pritshmërive, ka qenë fitorja e Napolit kundër kryesuesve të Premier League, Liverpool.

Në ndeshjet e pasdites, PSG ka shpërthyer kundër, Crvena zvezda duke fituar me rezultatin e thellë, 6-1. Parizienet e patën shumë të thjeshtë këtë ndeshje dhe dominuan që nga fillimi deri në fund. Për Neymar me shokë, ndeshja dukej si një stërvitje dhe golat kanë ardhur me kombinime shumë të bukura, duke argëtuar në maksimum të pranishmit në stadium. Me fitore ka dalë edhe Schalke nga transferta e vështirë ruse përballë, Lokomotiv Moscow. Gjermanëve iu ka mjaftuar një gol, për të marrë tre pikë shumë të rëndësishme.

Në mbrëmje sfida më spektakolare pa asnjë diskutim ishte ajo në “Wembley” mes Totenham dhe Barcelona. Katalanasit mbeten me pikë të plota, teksa kanë mposhtur Tottenham me rezultatin 4-2. Barcelona që zbriti në fushën e mitikut “Wembley” nuk kishte asnjë lidhje me ekipin e javëve të fundit në La Liga, dukej tërësisht e transformuar.

Pas dy golave të pjesës së parë nga Rakitic dhe Coutinho, u duk sikur Totenham u dorëzua. Por nuk ndodhi një gjë e tillë, pasi anglezët reaguan duke shënuar me Kane dhe më vonë me Lamela. Në këtë moment, Lionel Messi tregoi se është ende një nga më të mirët në këtë sport, duke shënuar dy herë dhe sigloi rezultatin përfundimtar në 2-4.

Jo më pak spektakolare ka qenë edhe sfida tjetër me Inter dhe PSV. Zikaltërit kanë bërë një fitore në stilin e tyre, duke përmbysur golin e PSV në pjesën e parë dhe kanë marrë një fitore shumë të rëndësishme 2-1 në “Philips Stadium”. Ishte një fitore e merituar e Zikaltërve që luajtën një ndeshje cilësore ndaj një kundërshtari të fortë si holandezët e teknikut, Van Bommel dhe tashmë janë janë në kuotën e 6 pikëve në dy ndeshje.

Liverpool edhe pse po dominon në Premier League këtë sezon, sërish ka momente dobësie. Skuadra e Klop është mposhtur në “San Paolo” nga Napoli në shifrat 1-0. Ndeshja ka qenë barabartë nga fillimi deri në minutën e 90-të, kur vendasit shënuan golin e ftores. Ishte Lorenco Insignie ai që çoi në dëlir tifozët dhe i jep një trepikësh shumë të rëndësishëm skuadrës së kaltër.

Në Grupin A, Borussia Dortmund ka mposhtur 3-0 Monaco falë golave të Larsen, Paco  dhe Marco Reus. Gjermanët kanë marrë kreun e grupit pas kësaj fitoreje falë avantazhit të golave në krahasim me Atletico Madrid, që ka mundur në shtëpi 3-1 Club Brugge. Griezmann ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 28-të dhe ka realizuar golin e dytë në të 67-ën pasi belgët kanë barazuar përkohësisht në të 39-ën me Groenveld. Koke ka fiksuar shifrat në 3-1 në minutën e 94-t.

Mbrëmjen e kësaj të mërkure është luajtur edhe sfida mes Porto-Galatasaray, e vlefshme për Grupin D. Portugezët kanë triumfuar falë golit të shënuar nga Marega në minutën e 49-të. Porto kryeson grupin me katër pikë bashkë me Schalke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë