Njerez

‘Të lutem, mos më harro’, rrëfimi i një vajze për nënën me Alzheimer dhe një mesazh për ata që ndodhen në të njëjtën situatë

Sot është shumë e qetë, e ëmbël dhe e dashur, por karakteri i 72-vjeçares Ruzhdie dikur nuk ka qenë aspak i tillë; ajo ka qenë një grua e fortë dhe shumë autoritare.

Ruzhdie Lusha prej më shumë se 10 vitesh është diagnostikuar me Alzheimer, një nga llojet e demencës që shkakton probleme me kujtesën, të menduarit dhe mënyrën e sjelljes.

Ndonëse ajo u diagnostikua në moshën 61-vjeçare, kujtesa e saj do të binte natyrshëm që në vitin 2010 dhe për të asgjë nuk është më si parë.

Shumë e konsiderojnë si “sëmundja e moshës”, por për të bijën Dallandyshe Lusha nuk mund të quhet aspak e tillë.

“60 vjeç nuk është mosha për të mos njohur fëmijët e tu”, thotë e bija Dallandyshja për Gazetën “Si”.

Në moshën 25-vjeçare, Ruzhdia humbi vëllanë e saj, i cili u nda nga jeta shumë i ri, vetëm 21 vjeç. Për të kjo humbje do të ishte një traumë e madhe. Por, dyshimet se po prekej nga Alzheimeri do të lindnin që një situatë në vitin 2010.

“Ishim në Shqipëri për pak ditë bashkë me mamin. Unë isha në shtëpinë time në Tiranë dhe mami në të sajën në Kavajë, do niseshim për në Milano dhe mamin e sjell djali i xhaxhait tim. Sapo hyri në shpi më tha kam harruar dokumentin (një dokument që i duhej në Milano). S’ka gjë i thashë, kthehu dhe merre dhe ashtu bëri. E shoqëroi përsëri djali i xhaxhait, por kur u kthye e kishte harruar përsëri. Për ta qetësuar, s’ka gjë i thashë, gjëra që ndodhin, makinën këtu e ke shko dhe merre, por mbasi u kthye e kishte harruar përsëri”, rrëfen Dallandyshja zanafillën e sëmundjes së të ëmës.

E bija nuk kishte minimumin e informacionit për këtë sëmundje (përpos një rasti në film) dhe për “përbindëshin” që do të përballeshin shumë shpejt.

Vitet 2010-2015 do të kalonin në një gjendje të turbullt për nënën e saj, herë duke harruar e herë duke kujtuar, por që pas 2015-s sëmundja do të avanconte me ritme të shpejta.

“Sëmundja avancoi me shumë shpejtësi dhe në kontrollin mjekësor të radhës, nëpërmjet rezonancës mjekët e diagnostikuan me Alzheimer. Fatkeqësia e këtij ‘demoni të zi’ është, se në momentin që është diagnostikuar pacienti, nuk ka shpëtim edhe pse je në fazën fillestare. Është e pakurueshme, pasi akoma dhe kësaj dite nuk ekzistojnë ilaçe për parandalimin e saj. Të vetmet që të përshkruajnë mjekët janë (psicofarmaci), të gjithë të prekurit, me këtë sëmundje i bombardojnë me psicofarmaci”, rrëfen më tej e bija.

Sëmundja e së ëmës që deri pak më parë kishte qenë e panjohur për Dallandyshen, do ta rrëzonte e do t’i hiqte çdo forcë.

“Sa më shumë lexoja, aq më shumë tmerrohesha, kur mësoja çfarë përbindëshi kishim për të luftuar, por në të njëjtën kohë mësoja qe nuk jam e vetme në dramën që na kishte kapluar. Kuptova që ishin shumë familje në situatën tonë. Ndër këto ishin dhe persona të famshëm, persona që kanë komanduar shtetet, si Margaret Theçër, presidenti Regan, e të tjerë. Nuk e mendoja që dhe personave kaq të hekurt mund t’u ndodhte e njëjta dramë. Në një mënyrë ky lexim edhe më qetësoi disi pak”, rrëfen më tej e bija, ndërsa shton se “sot kam dëgjuar që janë të prekur dhe mosha fare të reja 43, 47 vjeç, është tmerr i vërtetë”.

Sipas statistikave sot në të gjithë botën janë të prekur 35 milionë, ndërsa për në vitin 2040-2050 parashikohet që numri të arrijë në 80 milionë.

Dallandyshja rrëfen për Gazetën “Si” se për të ëmën e saj jeta ka mbaruar që në momentin që u diagnostikua me Alzheimer.

“Sëmundja e mamit është në status shumë të avancuar, mjekët i kanë dhënë shumë pak kohë. Ajo që ka ndryshuar tërësisht sot tek mami im, përgjatë gjithë rrugëtimit të sëmundjes së saj, është karakteri i saj, është shumë e qetë në krahasim me karakterin autoritar që kishte para sëmundjes.Për sa i përket anës fizike, është dobësuar shumë. I duken vetëm kockat 20 kile, është e papërballueshme kjo dhimbje, është sikur të janë ngulur thikat në zemër”.

Pjesa më e vështirë sipas saj është ta përballosh psikologjikisht këtë situatë, të shohësh prindin tënd që tanimë duket si një fëmijë.

Në këtë rrugëtim, Dallandyshja do të ishte shoqëruesja besnike e së ëmës. Ajo do t’i vinte muzikë, këngë të së kaluarës (të preferuarat e saj), do t’i lexonte në mënyrë që ta mbante larg harresës, do t’i bënte pyetje nga më baziket, duke u munduar ta kthente në kontakt me realitetin.

“Fillonte të kujtonte të kaluarën e saj. Sado e largët fliste për mamanë, për babain dhe vëllanë e saj të vdekur, asnjëherë nuk e harroi asnjëherë goja e saj nuk pushoi duke folur për të, traumë që nguli rrënjë të thella në jetën e saj. - I bëja dhe pyetje të tilla: ke fëmijë? - ajo më përgjigjej po. - Kanë ardhur ndonjëherë fëmijët tek ti? – jo më përgjigjej. Të jesh pranë nënës tënde, por që ajo nuk të njeh...”, rrëfen Dallëndyshja duke e pranuar që këto kanë qenë momente shumë të vështira, ndër më të tmerrshmet e jetës së saj.

Të gjitha pyetjet që bënte dhe përgjigjet që merrte nga e ëma, Dallandyshja do t’i shkruante çdo ditë nëpër copëza letrash, nëpër fletore, e më në fund e finalizoi në një libër gjithë këtë histori të trishtë.

“Unë shkruaja realitetin që përjetoja, që e kisha në sytë e mi. Ia dërgoja vajzës time t’i lexonte. Ajo më shtyu që të bëja një libër, por nuk ishte as momenti as koha për mua, nuk mund t’i kushtohesha diçkaje që kërkonte shumë punë”, thotë ajo.

Për finalizimin e librit, një libër me poezi dhe ese që vjen me titullin “Të lutem, mos më harro”, do ta ndihmonte një shoqe nga Tirana me të cilën ndanin pasionin e përbashkët për librat. 

Kopertina e librit "Të lutem, mos më harro"

“Një ditë takoj rastësisht një shoqe, Denadën, në Tiranë. I tregova për mamin dhe fillova duke i lexuar diçka nga shkrimet. Unë lexoja ajo qante, ngriti vështrimin e me tha pse nuk boton një libër. Ajo telefonoi profesorin e saj u takuam e dëgjoj historinë dhe me sy të përlotur tha se duhet publikuar kjo histori e trishtë, pasi janë dhe shumë të tjerë në këtë situatë... Ka pasur momente dhe i kam thënë redaktorit (i cili është shkrimtari dhe poeti Namik Selmani), por ai më shtyu që ta përmbushja këtë mision, sepse ky libër për mua është një mision”, thotë Dallandyshja, ndërsa shton se të gjitha poezitë dhe esetë që shkrova arritën të bëheshin plot 95 faqe libër.

Ajo që Dallandyshja ka dëshirë që t’u thotë të tjerëve që ndodhen në të njëjtën situatë me të, është se kjo betejë nuk kalohet vetëm. Tanimë sëmundja e nënës së saj ka avancuar shumë dhe ajo është pranë qendrës së kujdesit për këtë sëmundje.

“Duhet të mësojmë të ndajmë dhimbjen edhe me të tjerët. Duhet të keni pranë të afërmit e tuaj, duhet ta ndani këtë dhimbje. Në këtë kalvar të gjatë dhe të pamëshirshëm, ne patëm fatin që dhimbjes tonë ti bashkohet djali i xhaxhait bashkë me bashkëshorten e tij përgjatë dy viteve të fundit. Por erdhi momenti, që mjekët këtu në Milano na e kishin bërë të qartë, do ta keni të pamundur. Në këto momente mamin e kemi besuar në qendrën për kujdesin për këtë sëmundje, është 24 me 24 nën kujdesin e infermiereve dhe mjekëve. Ne jemi pranë saj, shkojmë dhe vijmë. Kohët, muajt që i kanë ngelur do t’ia përkushtoj mamit tim un vetë personalisht”, thotë më tej Dallandyshja dhe shprehet se koha me të, e bën sadopak të ndihet mirë shpirtërisht.

Ndërsa për librin që ia kushton mamit të saj, Dallandyshja nuk ka qëllime fame apo fitimi. Ajo po e dhuron me synimin që të lexohet nga sa më shumë persona që ata të cilët janë në të njëjtën situatë me të, të kuptojnë që nuk janë të vetmit.  

“Dua të përcjell dashuri me këtë libër, jo dhimbje. Dua të jap kurajo dhe forcë gjithkujt që ndodhet në një situatë të tillë... Librin e kam bërë që ta dhuroj, qëllime im është të lexohet nga sa më shumë, e kam dhuruar nëpër spitale, mjekë, infermierë, shoqërisë, persona të tjerë që rrugët e jetës më kanë takuar, dhe vazhdoj ta dhuroj...”, përfundon Dallandyshja për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë