Shendet

Të kërcënuar nga Covid edhe këtë dimër, vetëm 22.5 % kanë tre doza vaksinë

“Vaksinimi duhet të fokusohet në radhë të parë tek fëmijët që nuk e kanë kaluar infeksionin si dhe te ata fëmijë me sëmundje kronike apo dëmtim të imunitetit për shkaqe të ndryshme”, thuhet në studimin më të fundit të Akademisë së Shkencave për situatën e COVID

Shqipëria rrezikon të përfshihet nga një valë e re infektimesh të covid-19 me uljen e temperaturave se popullata gjendet e ekspozuar pasi mbrojtja nga vaksina rezulton e ulët.

Të dhënat e fazës së 4-tët  të studimit të Akademisë se Shkencave të Shqipërisë mbi seroprevalencën COVID-19 në popullatën shqiptare, e kryer deri në fund të gushtit 2022, tregoi se përhapja e infeksionit në stinën e dimrit rrezikohet të vijë nga fëmijët 1-9 vjeç që kanë një mbrojtje 76% nga covid.

Kjo grupmoshë frekuenton çerdhet e kopshtet, ku transmetimi i virusit kryhet më lehtë e më pas, rrezikohet infektimi i prindërve dhe gjyshërve në shtëpi.

Sipas studimit, përqindja e antitrupave nuk është e njëjtë në të gjitha grup-moshat.

 “Në grup-moshën 1 deri 9 vjec seroprevalenca ishte 76%, në moshat më të rritura seroprevalenca rritet me moshën, dhe shkon deri në 94.3% për individët mbi 65 vjec”, thuhet në studim.

Vaksinimi

 Nga të dhënat mbi vaksinimin bie në sy fakti se moshat 1 deri 15 vjecc nuk janë të vaksinuara, ndërsa moshat e tjera kanë një përqindje vaksinimi që luhatet nga 70-78% për grup-moshat nga 16 deri 65 vjecc, deri në 86.3% në moshat mbi 65 vjecc.

Bie në sy fakti se dozën e tretë të vaksinës e kanë kompletuar vetëm 22.5% e të gjithë personave të vaksinuar, dozën e dytë e kanë bërë 73.5% prej tyre  dhe vetëm 4% kanë bërë vetëm dozën e parë.

Imuniteti natyror dhe vaksinimi

Studimi i fazës 4-tët për mbrojtjen imunitare të popullatës në Shqipëri, tregoi një përgjigje imunitare  si pasojë e infektimit natyral me virusin ose nga vaksinimi.

Por ekspertët thonë se kjo përgjigje imunitare jo detyrimisht nënkupton mbrojtje imunitare ndaj këtij virusi.

“Niveli 92.2% i seroprevalencës në popullatën shqiptare duket se shoqërohet aktualisht me një ekuilibër «dinamik» midis imunitetit kolektiv dhe përhapjes së infeksionit COVID-19 dhe ky ekuilibër ka sjellë si pasojë ulje të ndjeshme të numrit të rasteve me COVID-19 në popullatë.

Por ky ekuilibër mund të prishet lehtë në favor të infeksionit si pasojë e 3 faktorëve kryesorë:

Uljes së imunitetit, me rënie të antitrupave mbrojtës si pasojë e kalimit të kohës pas bërjes së vaksinës ose infektimit të fundit;  Shfaqjes së varianteve të reja virale që e depërtojnë mbrojtjen imunitare nga variantet e mëparshëm; Motit të ftohtë me ulje të lagështisë në ajër që favorizojnë grumbullimet në ambiente të mbyllura dhe pa ventilim si dhe transmetueshmërinë e virusit.

Rekomandimet

Ekpsertët e shëndetit publik, nisur nga të dhënat e studimit, rekomandojnë nxitjen e fushatës vaksinale në moshat deri 10 vjec pasi niveli 76% i seroprevalencës aktuale në këto mosha rrezikon përhapje të infeksionit gjatë stinës së ftohtë.

“Vaksinimi duhet të fokusohet në radhë të parë tek fëmijët që nuk e kanë kaluar infeksionin si dhe te ata fëmijë me sëmundje kronike apo dëmtim të imunitetit për shkaqe të ndryshme”, thuhet në studimin më të fundit të Akademisë së Shkencave për situatën e COVID .

Në fund, ekspertët rekomandojnë që për individët e rritur, me qëllim parandalimin e riinfektimit nga covid, kryesisht tek ata që e kanë bërë vaksinën apo kanë kaluar infeksionin më larg se 6 muaj përpara, të kryejnë dozat përforcuese të vaksinës sidomos në moshat mbi 50 vjecc. Po ashtu doza përforcuese e vaksinës rekomandohet dhe tek individët e të gjithë moshave që kanë sëmundje shoqëruese imunodeprimuese, në mënyrë që të parandalohet rënja e imunitetit specifik ndaj virusit SARS-CoV-2


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë