Futboll

“Të jap dy penallti në pjesën e dytë”, skandal me arbitrin në Turqi-Suedi

Hije skandali mbi ndeshjen e Ligës së Kombeve Turqi-Suedi, ku nën akuzë ka përfunduar arbitri rumun, Istvan Kovaks. Në fund të pjesës së parë, sulmuesi suedez Markus Berg po i ankohej arbitrit rumun, i cili i bëri një premtim: nëse kishte gabuar në një episod të dyshimtë, do ta “rimbursonte” me dy penallti në pjesën e dytë. Në pjesën e dytë ai dha një penallti për Suedinë, që e fitoi ndeshjen dhe Turqia ka bërë gati reklamimin për këtë çështje.

Ndeshja Turqi-Suedi u mbyll 0-1 dhe golin e fitores e shënoi Grankvist me penallti, në minutën e 71-të. Skandinavët kanë mundësinë të ngjiten në Serinë A të Ligës së Kombeve, nëse mundin Rusinë, kurse Turqia ka rënë matematikisht në Serinë C. Asgjë e çuditshme deri këtu. Në fund të ndeshjes me Turqinë, suedezët kanë falënderuar portierin Olsen, i cili bëri disa ndërhyrje shpëtimtare, por duhet të falënderojnë edhe arbitrin. Deklarata e Markus Berg për “Aftonbladet” ka hapur një çështje, që ka sjellë shumë polemika. Madje mund të ketë edhe përsëritje të ndeshjes së “inkriminuar”për shkak penalltish.

Sulmuesi suedez, Markus Berg

Sulmuesi Berg ka rrëfyer atë çfarë ndodhi në fund të pjesës së parë me arbitrin: “Shkova të flisja me arbitrin dhe të protestoja për një penallti ndaj meje, që ai nuk e dha. U ulëm në dhomat e zhveshjes dhe i shpjegova rastin. Ai më bëri një premtim: ‘do të rishoh pamjet dhe nëse ato tregojnë se kam gabuar, do të jap dy penallti në pjesën e dytë”. Një batutë, ose ndoshta jo? Sepse është fakt që Suedia e fitoi ndeshjen me një penallti të shkaktuar nga mbrojtësit turq pikërisht ndaj Berg. Në këtë pikë, pyetja që lind natyrshëm është: a pati vërtet efekt në pjesën e dytë biseda mes Berg dhe Kovaks?    

“Na dha vetëm një penallti, por fituam gjithsesi dhe jemi në rregull. Mund të na kishte dhënë një tjetër”, - ka thënë Berg. Turqia ka reaguar dhe pritet të kërkojë zyrtarisht që rezultati i ndeshjes në fjalë të mos homologohet, duke u bazuar te deklaratat e sulmuesit Berg. Një rast që duhet hetuar nga UEFA. Një rast, që do të ishte evituar, nëse do të aplikohej VAR-i edhe në këtë kompeticion.

Arbitri rumun, Istvan Kovaks


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë