Opinion

Të gjithë shkojnë me Kushtetutën

Të gjithë po bëjnë sikur bisedojnë për kandidatin e ardhshëm për President.
Socialistët madje në çdo takim shkojnë me tre perfaqësues, a thua se Rama nuk ka besim se si do të flasë Taulanti, Damiani apo Elisa.
Demokratët janë gati të thonë se kandidati më i mirë për President është Ibsen Elezi, mjafton që t'ia heqin nga këmbët Doktorit që ai të mos ketë më frikë se dikush mund t'ia marrë prapë partinë.
Të vegjlit e opozitës sillen sikur janë të mëdhenj, për të fshehur faktin se asnjë prej partive të vogla nuk i ka 20 vota për të nxjerrë një kandidat për President.
Më larg nga ky proces po qëndron LSI. Ata e dinë që 4 votat e tyre do ia përplasin Ramës kundër, kur të vijë momenti që të ketë një emër për President. LSI po pret 22 majin e Berishës dhe 24 korrikun e Ilir Metës që ta nisin dasmën e protestave sikur të ishte Shqipëria 20 vjet më parë.
Dhe kur i sheh të gjithë që bisedojnë, që shqetësohen për Kushtetutën si për një nuse që ngelet në shkallët e Kishës se dhëndri president nuk duket, thua: Po çfarë po e mban procesin peng? Pse nuk e dorëzon një emër Berisha me të tijët në Kuvend apo Alibeaj me të tijët në Kuvend?
Përgjigja fshihet te fjalimet e gjata, pas bisedimeve, ku të gjithë bëjnë sikur shkojnë në krah të Kushtetutës dhe kërkojnë një President.
Opozita e di se Rama e mban nën mëngë një emër që edhe ata mund ta pëlqejnë, një emër që mund ta kemi dëgjuar shpesh, por ja që sedra opozitare nuk i lejon ta pranojnë.
Siqoqë të jetë edhe për socialistët merak mbetet procesi, pasi që të jesh i mençur dhe në moshë, thotë një fjalë e urtë, duhet të kesh qenë më herët, i ri dhe budalla. Këtë shprehje ata që janë prej disa legjislaturash në Kuvend, e kanë mësuar mirë, ndaj i rrinë afër Kushtetutës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë