Futboll

Të gjithë kundër, Reali nis misionin për mbrojtjen e titullit

Pas spektaklit që ka dhuruar mbrëmja e parë e finaleve të Ligës së Kampionëve është koha për aktin e dytë. Mbrëmjen e së mërkurës rikthehen kampionët e Real Madrid, që nisin misionin e tyre për të mbrojtur titullin kundër Romës në “Santiago Bernabeu”. Janë tetë, sfidat që do të luhen të mërkurën, ku sipas formatit të ri të Champions League, dy do të luhen në ora 18:50 dhe gjashtë të tjerat në orën 21:00.

Dy sfidat e pasdites mund të konsiderohen si “aperitiv”, pasi përballjet nuk janë të nivelit më të lartë të mundshëm. Holandezët e Ajax, në rikthimin e tyre në kompeticionin elitar të klubeve europiane do të përballen me grekët e AEK. “Harkëtarët” janë pa asnjë diskutim favorit, por ndeshja mund të sjellë surpriza, pasi edhe AEK nuk do e pranojë lehtë që të largohet pa lënë gjurmë. Sfidë interesante për t’u ndjekur është edhe ajo që do të luhet mes Shakhtar Donetsk dhe Hoffenheim, ku sigurisht ukrainasit janë pretendentë.

Me këto dy sfida të profilit të ulët pasdite, në mbrëmje fillon spektakli i vërtetë, pasi në fushë do të zbresin kampionët dhe të gjithë pretendentët e tjerë për ta fituar trofeun “veshëgjatë”.

Bayern Munich udhëton drejt Portugalisë për të sfiduar Benfica dhe do të kërkojë ta nisë mbarë mision për ta çuar në Gjermani titullin e Champions League, pas pesë vitesh mungesë. Guardiola me Manchester City do e nis rrugëtimin e tij drejt trofeut të Ligës së Kampionëve me Lyon në shtëpi. Anglezët duket sikur ende nuk janë futur në shinat e duhura në këtë fillim sezoni dhe përballja me francezët e Lyon do të jetë e duhura për të larguar tej çdo hije krize që mund të shfaqet.

Një sfidë interesante për t’u parë do të jetë edhe ajo mes Vittoria Plzen dhe CSKA Moscow. “Los Blancos” me teknikun e ri Lupetegui në stol do të fillojnë këtë sezon me një njohje të vjetër në këtë kompeticion, siç janë verdhekuqtë e Romës. Pa Ronaldon, por me shumë yje të rinj në shpërthim e sipër, Real Madrid do të kërkojë tre pikët e para përballë Romës, që gjithashtu ka ndryshuar shumë nga ekipi i vitit të shkuar. Ndërkohë kampionët e Italisë me Ronaldon në krye, Juventus do e fillojnë këtë edicion të Champions League në transfertë përballë Valencia. Sfida paraqitet shumë interesante dhe e vështirë për t’u parashikuar, pasi spanjollët kanë treguar një nivel të mirë në këtë start të sezonit, për më tepër që në shtëpi janë shumë të fortë, por edhe Juventus nuk do e pranonte që ta niste keq këtë sezon, ku synon që në Maj te ngrejë lart trofeun.

Pak më e lehtë paraqitet kjo përballje e parë për Manchester United, që do të shkojë drejt Zvicrës për t’u përballur me Young Boys. Ndeshja duket të jetë “ilaçi” perfekt për ekipin e Mourinho që të kalojë këtë krizë të javëve të para dhe të futet në ritmin e duhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë