Lajme

Të dënuar për vjedhje dhe drogë, ekstradohen dy të rinj nga Kroacia dhe Italia

Dy persona të dënuar në Shqipëri për vjedhje me pasojë vdekjen dhe prodhim e shitje narkotikësh janë ekstraduar nga Kroacia dhe Italia.
Policia thotë se falë shkëmbimit në kohë të informacionit mes Interpol Tiranës dhe homologëve, janë kapur dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë, dy të kërkuar për vepra penale kundër personit, armëmbajtjes pa leje dhe në fushën e narkotikëve.
Mësohet se janë ekstraduar nga Zagreb/Kroaci drejt vendit tonë shtetasi Joland Bushati, 35 vjeç, banues në Lekbibaj. 35-vjeçari ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka vendosur revokimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për lirimin para kohe me kusht dhe vazhdimin e vuajtjes së dënimit për pjesën e mbetur për 3 vite e 8 muaj e 24 ditë burg, i cili ka marrë formë të prerë me datë 04.01.2019, për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
Siç njofton policia, ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin A. P., ka grabitur me armë pasagjerët e linjës “Bajram Curri-Lekbibaj”, duke qëlluar për vdekje shtetasin N. Gj., me detyrë punonjës policie. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Zagreb/Kroaci, u bë i mundur arrestimi i tij në Kroaci dhe ekstradimi drejt vendit tonë.
Po nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Roma/Itali, i shtetasit shqiptar Vladi Sinani alias Vladimir Sinani, 29 vjeç, lindur në Bulqizë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë