Lajme

Të dehur dhe pa patentë, 25 të arrestuar në 48 orë

Numri i madh i aksidenteve me vdekje nëpër rrugët e Shqipërisë kanë bërë që Policia Rrugore të shtojë masat në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e sigurisë së jetës në rrugë.

Policia thotë se janë 1033 punonjës që janë angazhuar gjatë 48 orëve të fundit, duke kryer edhe shërbime suplementare, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore në fundjavë.

Siç njofton policia, masat kanë konsistuar në parandalimin e shpejtësisë apo manovrave të rrezikshme në rrugë, drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Policia thotë se gjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 25 shtetas, nga këta: 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 15 pa leje drejtimi.

Po ashtu nga kontrollet e ushtuara me drager e radar, në të gjithë vendin, për 48 orë janë pezulluar 192 leje drejtimi, nga këto: 31 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 131 leje drejtimi për drejtim mjeti me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar dhe 30 leje drejtimi për shkelje të ndryshme që kanë si masë plotësuese pezullimin e lejes së drejtimit.

Gjithashtu, po gjatë fundjavës janë vendosur gjithsej 5098 masa administrative, nga këto: 316  masa për mosvendosje të rripit të sigurimit, 47 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 626 për përdorim të celularit, 2578 për parkime të gabuara dhe pushim mjeti në kundërshtim me Kodin Rrugor, 282 masa për shpejtësi e manovra në rrugë, 52 për mungesë figuracioni, si dhe 1197 për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Gjithashtu, gjatë fundjavës janë bllokuar edhe 27 automjete, si dhe një automjet i vjedhur, ku dhe u prangos nga Policia Rrugore e Elbasanit shtetasi që kishte vjedhur automjetin.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/618080575679613/

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë