Treg

Bizneset të kënaqura, turistët nga Perëndimi po shpenzojnë më shumë këtë verë

Nga Gazeta ‘Si’ - Ndryshe nga viti i shkuar kur çmimet e larta po "ndëshkonin" bizneset e turizmit dhe "buka me vete" ishte më shumë zgjidhje se zgjedhje, këtë verë situata ravijëzohet më optimiste.

Madje, sipas tur-operatorëve, ka tejkaluar edhe pritshmëritë e tyre.

Efektin kryesor e ka dhënë ndryshimi i tregut të turistëve që po vizitojnë Shqipërinë këtë verë.

Nga turistët e Europës Lindore, që tipikisht janë pushues që kanë tendencën të shpenzojnë më pak, këtë verë ka një fluks në rritje nga turistët perëndimorë dhe ato latinë.

“Situata e çuditshme që ka ndodhur këtë sezon ndryshe nga vitet e shkuara, është se së pari janë rezervuar hotelet me katër dhe pesë yje dhe më tej janë bërë rezervime për hotelet dhe strukturat akomoduese më ekonomike”, thotë për Gazetasi.al Vasil Bedinaj, kreu i tur-operatorëve të jugut.

Ai shpjegon se zakonisht në turizëm, rezervimet bëhen nga poshtë-lart ndërsa këtë vit ka ndodhur e anasjellta për shkak se turistët që vijnë nga Europa Perëndimore janë treg më i pasur.

“Ata shpenzojnë më shumë jo vetëm për komfortin, por në tërësi, sepse vijnë nga shtete më të pasura dhe kanë mundësi më të larta ekonomike”, vëren më tej Bedinaj.

"Hotelet që u rezervuan të parat këtë vit ishin ato me katër-pesë yje", deklaron Bedinaj

Italianët që shquhen si turistët më dorështrënguar, vitin e shkuar refuzuan Shqipërinë për shkak të çmimeve të larta të biletave të tragetit.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, një familjeje italiane mesatare me 4 persona, i duhej të ndante mënjanë 800 euro vetëm për biletat, pa llogaritur kostot e tjera.

Por këtë vit çmimet sipas tur-operatorëve janë përgjysmuar dhe ka pasur një rritje të ndjeshme në përqindje të numrit të shtetasve italianë që po vijnë për pushime në Shqipëri.

Aktualisht një biletë vajtje-ardhje nga Italia për një person kushton 100 euro.

Në tërësi, sipas të dhënave të INSTAT, në këtë periudhë të vitit kanë ardhur rreth 40% më shumë pushues se e njëjta periudhë e 2022-shit.

Pushues në plazhin e Himarës

“Këto prurje turistike do t’i ndihmojnë bizneset që të amortizojnë kostot e tyre”, thotë Bedinaj i cili shton se vitin e shkuar ekzistonte frika që të kishte një boomerang për bizneset.

“Kriza e madhe e çmimeve që preku jo vetëm xhepat e shqiptarëve, vitin e shkuar ishte më problem se mungesa e stafit. Bizneset nga ana tjetër tentuan të kompensonin shpejt humbjet e pësuara nga vitet e pandemisë gjë që rrezikonte një ‘boomerang’ pasi turistëve u krijohej ideja se pushimet në Shqipëri janë të shtrenjta dhe rrjedhimisht, kjo i stepte ata.

“Megjithatë, buka me vete duhet të lejohet"

Qytetarët nga Kosova dhe shqiptarët që kanë zgjedhur ‘të pushojnë shqip’ brenda territorit të vendit, sipas burimeve nga tregu po shpenzojnë më shumë para për të ngrënë jashtë se vitin e shkuar.

Ndonëse kriza në xhepat e tyre nuk është kapërcyer tërësisht, tur-operatorët thonë se vënë re më shumë rezervime në bar-e dhe restorante ku çmimet krahasuar me një vit më parë janë ulur deri në 25%.

Megjithatë, ka ende shumë struktura që nuk i lejojnë pushuesit të marrin ushqim me vete.

Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, thotë për Gazetasi.al se ky është një lloj mentaliteti aspak normal.

“Për sa kohë shkon dhe blen shërbimin e përdorimit të plazhit (çadra, shezllon etj) nuk e kuptoj pse duhet të mos marrë asgjë me vete si psh bukë për fëmijët dhe pije për të rriturit.

Shqiptarët, momentalisht shtresa e mesme është me e shtrydhura dhe nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të konsumuar çdo ditë jashtë, kështu që zgjedh ose destinacione të lira brenda Shqipërisë ose vende të tjera jashtë ku mund të kursejnë disi”, thotë ai.

"Mos-lejimi i ushqimit me vete është një mentalitet aspak normal", thekson Jahaj

Durrësi mbetet destinacioni më ekonomik

Si çdo vit tjetër, Adriatiku mbetet destinacion më i përballueshëm ekonomikisht krahasuar me jugun.

Paketat turistike all inclusive në disa nga resortet në Durrës përfshijnë përpos akomodimit, edhe konsumin e mëngjesit dhe darkës me një kosto prej 80 eurosh.

Në jug të vendit, një çmim i tillë përfshin zakonisht vetëm mëngjesin. Edhe çmimet e bar-eve përgjatë vijës bregdetare, janë rreth 20% më të lira krahasuar me jugun.

Sipas tur-operatorëve, Durrësi preferohet më shumë nga polakët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë