Taksa

Tatimet: Nuk mund të shitet më karburanti pa fiskalizim. Edhe konsumatorët detyrohen të mbajnë faturat

Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar tregtarët e shitjes me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve që shitja e këtyre produkteve do të bëhet vetëm me lëshimin e një fature.

Për të gjitha furnizimet pa para në dorë, të cilat paguhen nga sistemet bankare, tregtuesit në fushën e hidrokarbureve duhet të instalojnë një zgjidhje të përshtatshme softwerike ose të certifikojnë sistemet e tyre fiskale nëse aktualisht kanë krijuar një të tillë.

Në rastin e shitjes së tollonave, DPT sqaron se shoqëritë e hidrokarbureve duhet të lëshojnë faturat dhe t'i fiskalizojnë ato në momentin kur lëshohet tolloni. Është shumë e rëndësishme që kjo faturë që dokumenton shitjen e tollonit të lëshohet dhe fiskalizohet e para.

Nëse kompanitë që operojnë në tregun e hidrokarbureve shpërndajnë karta për blerje të vazhdueshme karburanti, në këto raste dokumentimi i totalit të blerjeve dokumentohet me faturë përmbledhëse të lëshuar për një periudhë jo më të madhe se një muaj.

Kur furnizimi i mallrave paguhet me kartën e kompanisë të tatimpaguesit, të lëshuar nga tatimpaguesi që furnizon mallrat, shitësi lëshon dhe fiskalizon faturën dhe informacioni identifikues i blerësit duhet të vendoset në faturë (NIPT-i, emri/emri dhe mbiemri).

Tregtimi i karburanteve nga magazina doganore/fiskale në pikat e tregtimit me pakicë kryhet në çdo rast nëpërmjet lëshimit të një fature elektronike, e cila shoqëron transportin e sasisë së karburantit të shitur.

“Në momentin e daljes së karburantit nga magazina doganore/fiskale, përveç faturës elektronike, për qëllim të monitorimit të qarkullimit të produktit tatimpaguesi duhet të lëshojë dhe fiskalizojë dokumentin transportit i cili lëshohet nga pajisja elektronike e lidhur me KDE-në menjëherë pas transferimit automatik të të dhënave për karburantin e qarkulluar, dokument i cili duhet të lidhet me NSLF e faturës elektronike të lëshuar më parë. Disa dokumente transporti mund të lidhen me një faturë të vetme elektronike ku totali i të gjithë dokumenteve të transportit duhet të jetë i barabartë me sasinë e karburantit në faturën elektronike me të cilën lidhen”,- sqarohet në njoftim.

Subjekti transportues i karburantit, pas daljes nga magazina doganore/fiskale, qoftë thjesht subjekt transportues, vetë blerësi apo shitësi, detyrohet të mbajë të bashkëngjitur me faturën elektronike edhe dokumentin e transportit që i përket karburantit që po transportohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë