Taksa

Tatime kur merr kripto, dhurata ose luan kumar

Nga Gazeta ‘SI’ - Në dokumentin final të projektligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, ndër ndryshimet fiskale që pritet të hynë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, është edhe ai i të ardhurave nga kriptomonedhat, titujt ose instrumentet financiarë, dhuratave e trashëgimive dhe lojërave të fatit.

Në dokument thuhet se të ardhurat e investimit në mjetet virtuale, por edhe të ardhurat nga krijimi i tyre do të quhen “të ardhura të tatueshme” dhe do të tatohet vetëm diferenca midis vlerës në shitje dhe vlerës në blerje. Nëse të ardhurat nga tjetërsimi i mjeteve virtuale rezultojnë me humbje në një vit tatimor, të ardhurat e tatueshme të investimit konsiderohen të jenë zero.

E njëjta praktikë vlen dhe për tituj apo instrumentet financiare, por në rast se rezultojnë me humbje, kompensohen vitin tjetër tatimor.

Dhuratat/trashëgimitë që përfshijnë prona të paluajtshme, të luajtshme dhe para do të vlerësohen me vlerë nominale ose vlerën e tregut dhe do të tatohet vlera më e madhe. Për to dhe për të ardhurat nga lojërat e fatit, edhe nëse zhvillohen jashtë Shqipërisë, norma e tatimit do të jetë 15%.

P.Sh. vlera e një pikture, automjeti retro, unaze me gur të çmuar, set antik pajisjesh etj etj të
kësaj natyre, të dhuruara/trashëguara, mund të përcaktohet nga ekspertë të licensuar të
fushës dhe 15% e saj paguhet si tatim.

Është ende e paqartë se si do të funksionojë skema e tatimit dhe e mbledhjes së tyre për mjetet virtuale kriptomonedha dhe ato të ardhura nga lojërat e fatit, të pa sqaruara edhe në relacion, në mungesë të legjislacionit dhe rregullatorëve për të dy zërat.

Po ashtu, kriptomonedhat, pjesë e financave të decentralizuara janë të vështirë për t’u gjurmuar. Njësoj si operimi online në lojërat e fatit, kur përfshihen dhe bastet sportive, për të cilat u fol më herët gjatë vitit për një ligjërim të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë