Të dielën një task forcë italiane do të vijë në Shqipëri për të identifikuar objektet e trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Ana Lauro Orrico nënsekretare e shtetit italian në Ministrinë e të Mirave dhe Aktiviteteve Kulturore dhe Turizmit pjesëmarrëse në Samitin Ndërkombëtar të Turizmit në Tiranë u shpreh se mes të tjerash Italia është e gatshme të asistojë dhe mbështesë edhe rikthimin në identitet të simboleve të trashëgimisë kulturore, të luajtshme dhe të paluajtshme të Shqipërisë që u dëmtuan nga tërneti.
Task Forca e urdhëruar nga Ministri Dario Franceschini do të ketë në përbërjen e saj një arkitekt, një rikonstruksionist, fotograf dhe dy karabinierë të fushës së Trashëgimisë Kulturore.
“Qeveria italiane është pranë popullit shqiptar. Me Shqipërinë, mua personalisht më bashkon një lidhje e fortë, ime më është arbëreshë nga Calabria. Prej saj mësova të njoh dhe vlerësoj kulturën arbëreshe, shqiptare. Jam e nderuar si përfaqësuese e qeverisë italiane këtu në Tiranë për të treguar mbështetjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të Italisë ndaj Shqipërisë mike. Në Itali për fat të keq i njohim mirë tragjeditë që sjellin tërmetit. Italia Qendrore në 10 vitet e fundit ka pësuar fatkeqësi të kobshme nga tërmetet shkatërruese në 2009 dhe 2016 në Italinë Qendrore. E dimë sa e vështirë dhe i mundimshëm është rindërtimi dhe sa bashkim kërkon.”- u shpreh nënsekretarja e shtetit në Ministrinë italiane të të Mirave dhe Aktiviteteve Kulturore dhe Turizmit, Orrico.
Znj Orrico vlerësoi solidaritetin e strukturave hotelerie si gjest bujarie ndaj katastrofës së tërmetit që përveçse viktimave, la edhe shumë të pastrehë.
“Jemi angazhuar për mbështetje edhe në fazat e mëpasshme me vëmendje të veçantë për objektet e Trashëgimisë Kulturore.Nuk mjafton të rindërtosh shtëpi dhe rrugë, por struktura sociale. Rikuperimi i Trashëgimisë Kulturore do të thotë tu rikthesh simbolet e identitetit të tyre për të lindur një jetë e re. Duke pranuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës Margariti, misioni do të nisë të dielën dhe do të zgjasë 1 javë. Misioni do të punojë në një rreze 50 km nga rrezja e epiqendrës së tërmetit. Do të ketë një relacion të parë për shtrirjen e dëmeve mbi trashëgiminë kulturore. Do të marrim masat e sigurisë për pasurinë e luajtshme dhe palujatshme, ku do të magazinohen objektet që janë të rrezikuara, etj” – u shpreh përfaqësuesja italiane.
Ministri Blendi Klosi gjatë fjalës së tij u shpreh se Durrësi është gati që të presë turistë për sezonin turistik të vitit 2020.
“ Mijëra familje gjetën dyert e hapura dhe dorën e mikpritjes së strukturave akomoduese hoteliere shqiptare. Ata u hapën dyert dhe strehuan në sofrën e madhe shqiptare, siç kanuni e përcakton mijëra qytetarë në ditën e tyre më të keqe. Ne e jetuam legjendën e përjetuam traditën, e pamë me sytë tanë se si në 24 orë, u mirëpritën mijëra qytetarë pa asnjë incident, pa lidhur asnjë kontratë, pa ditur se nga vijnë se kush janë hotelierët shqiptarë. Kjo është dera e hapur e industrisë së turizmit shqiptar. Pavarësisht goditjes së natyrës, zona e Durrësit është e paprekur, është e gatshme për të pranuar mijëra dhe miliona turistë. Sezoni turistik 2020 do të jetë një sezon i suksesshëm dhe për plot familje shqiptare. Këtë praktikë që ne bëmë në Shqipëri, ta ndajmë nëpër botë. Turizmi është një shtyllë shumë e rëndësishme për ekonominë e vendit. Ne nuk jemi konkuretë, ne jemi bashkëpunues. “, u shpreh Klosi.
Në këtë samit ku diskutohet edhe mbi sfidat dhe pritshmëritë e sektorit të turizmit, marrin pjesë vendet si Shqipëria, Greqia, Italia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi.
Në samitin “Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri” që po zhvillohet në Tiranë, në kuadër të solidaritetit për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti, të gjithë të pranishmit u shprehën se turizmi është më i aftë ti bëjë ballë ngjarjeve të tilla më shumë se kushdo tjetër.
“Shqipëria është një histori e suksesshme e turizmit, është destinacion që është zhvilluar vetë, është bekuar me natyrë mahnitëse dhe mbi të gjitha nga populli i ngrohtë dhe mikpritrës. Ne si organizatë duam të theksojmë se sa ndihmon turizmi në ekonominë e familjeve, ne jemi si organizatë në mbështetjen tuaj për të zhvilluar turizmin”- u shpreh sekretari i Organizatës Botërore të Turizmit.
Të keqardhur për katastrofën përfaqësuesit e rajonit u ofruan të gatshëm të mbështesin në fushën e turizmit periudhën post-tërmet me paketa të studiuara turistike, workshope, studime, etj.
“Po punojmë për mundësi të tjera për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë në këtë kontekst.
Komiuniteti Ndërkombëtar të ndihmojë në fushën e ristrukturimit të mëtejshëm dhe zhvillimit të fushës. Një mik i mirë duhet në kohë të vështira.
Turizmi ka ndikim të madh në zhvillimin e rajonit dhe siguron të ardhura të larta. Mund të konsiderohet si instrument për paqen mes vendeve dhe për të lidhur njerëzit, për të mësuar e pranuar të gjitha diversitetet kulturore.
Bashkëpunimi mes dy vendeve është modest, por ka kapacitete për tu zhvilluar. Mund ta bëjmë përmes investimeve, udhëtimeve studimore, workshope, etj.”- u shpreh përfaqësuesi nga Sllovenia.
Po ashtu edhe përfaqësuesja e Greqisë u shpreh optimiste për rindërtimin me fokus turizmin duke marrë shembull Greqinë në periudhën e krizës ekonomiko-financiare.
Greqia, tha ajo, ia doli përmes turizmit, “edhe Shqipëria mund ta bëjë sepse truizmi është magjik dhe ka fuqi ta shpëtojë ekonominë e ta zhvillojë atë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.