Biznes

Tarifa e Rrugës së Kombit, trishtim dhe humbje për biznesin

Sabina Veizaj -Një erë tjetër pakënaqësie dhe humbje po fryn për bizneset shqiptare të eksportit. Duke filluar nga data 17 shtator të gjithë mjetet e transportit që do të furnizojnë Kosovën me produkte shqiptare duke kaluar nëpër Rrugën e Kombit do të paguajnë tarifat sipas pasqyrës së miratuar  më herët nga qeveria e cila njeh edhe zbritje të çmimit. Sa më shumë kalime aq më e madhja do të jetë zbritja(shiko tabelën)

Ndwrsa tarifat bazë janë për motorrin 2.5 euro, veturë 5 euro, autobusë dhe kamionçina 11.2 euro, kamionët e mesëm 16.2 euro dhe kamionët e rëndë 22.5 euro.

Megjithatë ka pakënaqësi

Arben Shkodra, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë

Qeveria u ul pak kohë më parë me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë dhe ka diskutuar për  problemet që mund të shfaq tarifa e rrugës së Kombit, sidomos ndikimin  që do të japë tek bizneset nga Kosova të cilët ishin edhe ata në tryezë.  Arben Shkodra nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, thotë se  u ra dakord  se do të analizohej propozimi për reduktim të tarifës dhe do të riuleshin sërish për të diskutuar, diku nga muaji korrik.

“ Ne e kishim që në korrik propozimin tonë, që do të thotë se zbritjet në përqindje në bazë të numrit të përcaktuar të kalimeve do të ishin  40% -60%-, kurse qeveria e la 10-40 % .”- tha  zoti Shkodra për gazetën “Si” duke e cilësuar si arritje, por të pamjaftueshme.  Për të, do të kishte pasur nevojë për një konsultim më të gjerë publik dhe  masa lehtësuese për eksportuesit të ishte më e madhe “siç ndodh në të gjithë botën për procedura e tarifa”-thotë  Shkodra.

Sa do të jetë efekti ? Po zgjidhja?

Prodhuesit nuk e shkëpusin dot koston e tarifës nga një kontekst më i gjerë. Rënia e euros  por dhe tarifa do t’i shtyjë bizneset të ulin kapacitet prodhuese. “Nuk mundet të ruhet prodhimi me çmime të rritura”. Duke i besuar përvojës Shkodra paralajmëron se  në fund të vitit do shihet nga bilancet se sa do të humbim realisht bizneset.

Por edhe nga një vlerësim paraprak , mendohet që vetëm tarifa e Rrugës së Kombit do të ketë një efekt negativ tek bizneset e eksporteve në vlerën 5 %.

Biznesi druhet se  pjesën  e pambuluar  të  tregut  nga Shqipëria, do ta marrë Serbia, Mal i Zi dhe Maqedonia.  Ndërsa për Kosovën, sipas Shkodrës,  më i dëmtuari do të jetë  biznesi i transportit.

Nga përllogaritjet që ka bërë Qendra e Eksporteve Shqiptare, nëse euro do të qëndrojë në këto nivele përkundrejt lekut, ekonomisë shqiptare do t’i mungojnë rreth 13 mld lekë në vitin 2018 së bashku me humbjet nga tarifat e Rrugës së Kombit.

Konfindustria një tjetër organizatë biznesi  shprehet e  shqetësuar  për formulën e zgjedhur të tarifimit të Rrugës së Kombit për bizneset. Anëtarët e saj mendojnë se mënyra e vendosur e tarifimit ka përmasat e një takse të re me përmasa kombëtare që do të jap efekte afatgjata . Ata kanë kërkuar  që përllogaritja e nivelit të sipërm të tarifës, që do të paguhej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bizneset dhe qytetarët, të mbulonte vetëm vlerën diferencë të kostos së mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit krahasuar me mesataren e kostos së mirëmbajtjes të gjithë rrugëve të vendit. “ Kjo është mënyra e vetme që mund të përligjte moralisht vendimmarrjen politike për lëvizjen me pagesë në një rrugë të ndërtuar me para publike. Qytetarët dhe bizneset paguajnë çdo vit mbi 120 milion euro si taksë të qarkullimi të mjeteve për mirëmbajtjen e sistemit rrugor të vendit. Në rastin e bizneseve nuk është marrë aspak parasysh, duke rënduar drejtpërdrejt në rritjen e kostove të shërbimit dhe prodhimit, që më pas do të përcillen në rritje çmimesh për qytetarët dhe ulje të shkallës së konkurrencës të bizneseve, me pasoja deri në falimentime. Gjithashtu, mungesa e plotë e bashkëpunimit me qeverinë e Kosovës për mundësinë e uljes së kostove të përgjithshme të menaxhimit si një të tërë të Rrugës së Kombit nga Durrësi deri në kufi me Serbinë, është e papranueshme.”- thotë Gjergj Buxhuku  drejtuesi  administrativ i Konfindustria.

Po kuksianët?

Kur u vendosën për herë të parë  sportelet  ku dot paguhej tarifa, dhjetëra kuksianë, banorë të zonës përgjatë rrugës dhe të tjerë qytetarë  u revoltuan. Ata dogjën infrastrukturën e kompanisë që ka marr koncesion dhe pas përplasjes me policinë disa prej tyre u arrestuan. Qytetarët u irrituan edhe më shumë.  Akti pati solidaritet të ndjeshëm duke e detyruar qeverinë të rri llogariste kostot dhe mënyrën se “kush paguan dhe sa paguan” sepse akuza e parë që ju bë ishte se nuk ishte konsultuara më asnjë nga grupet e interesit.

Atëherë pagesa ishte parashikuar rreth 600 lekë  ndërsa sot tarifa për banorët e zonës dotë jetë 100 lekë për kalim.

Megjithëse kuksianët janë më të prekurit, pas rivendosjes së traut që pritet në 17 shtator nuk priten tubime të organizuara. Të paktën kështu  thotë  aktivistit Rifat Demalia, sipas të cilit  gjendja në Kukës është e qetë një javë prej hyrjes në fuqi të tarifave për Rrugën e Kombit.

“Ka lëvizje kundërshtuese, por jo të organizuara, pasi ngjarjet precedente ku u implikua edhe politika nuk ishin në favor të qytetarëve të Kuksit. Nuk duam të përsëriten ato ngjarje dhe nuk ka lëvizje të organizuara për të kundërshtuar tarifat e miratuara nga qeveria. Plus data 17 shtator përkon edhe me çeljen e vitit të ri shkollor dhe është menduar mirë nga qeveria. Në atë ditë familjet do të çojnë fëmijët në shkollë, kështu që nuk mund të dalin për protesta”- thotë Rifati.

Sipas studimit të institucionit ndërkombëtar që dha konsulencë për koncesionin, gjatë periudhës mars 2014-mars 2015 lëvizën rreth 5.000 automjete në ditë në segmentin e Rrugës së Kombit.

Supozohet se, me hyrjen në fuqi të koncesionit, lëvizja e automjeteve do të bjerë dhe qeveria do të financojë koncesionarin nga taksat e tjera, në një masë që llogaritet minimalisht 5 milionë euro në vit dhe maksimumi deri në 13 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë