Rend dhe Ligj

Tarifa shtesë për zvarritësit e proceseve gjyqësore

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka propozuar rishikimin e tarifave gjyqësore, që paguhen nga qytetarët në momentin që ngrenë një padi në gjykatë, apo humbasin gjyqin e nisur.

KLGj shpreson që me tarifat e reja të dekurajojë traditën e zvarritjes së proceseve gjyqësore pa arsye të justifikueshme, duke prezantuar tarifat gjyqësore shtesë. Sipas propozimit të Këshillit në rastet kur gjykata vlerëson se njëra prej palëve në proces gjyqësor, ose përfaqësuesit e saj ligjorë kanë shkaktuar vonesa të në gjykimin e çështjes pa shkaqe të arsyeshme, paguhet kjo tarifë shtesë në bazë të shkallës së gjykatës.

Kështu, sa më lart ngjitet në hierarkinë e gjyqësorit çështja, aq më e lartë është tarifa. Sipas propozimit, për gjykatat e rretheve në rastet e mësipërme paguhet 5 mijë lek shtesë, në gjykatat e Apelit 100 mijë dhe në Gjykatën e Lartë 150 mijë.

Vetë tarifa e padive për zgjidhje martese nuk propozohet që të ndryshojnë, por risia që propozohet nga KLGj është vendosja e një shifre simbolike prej 200 lekësh për paditë që burojnë nga konfliktet familjare, si padi për detyrim ushqimi, caktim kujdestarie, kërkesë birësimi, heqja e përgjegjësisë prindërore e të tjera.

Këshilli propozon gjithashtu një tarifë të veçantë, që varion nga 1500 deri në 2500 lek. Ajo aplikohet në rastet kur njëra nga palët ndërgjyqëse kërkon përjashtimin e gjyqtarit, apo trupit gjykues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë