Futboll

Tare rinovon me Lacion, Lotito nuk e lëshon shqiptarin e suksesshëm

Përpara me Igli Taren. Tani edhe zyrtarisht. Presidenti Klaudio Lotito ka rinovuar kontratën me drejtorin sportiv të Lacios deri në vitin 2020, me opsionin për dy vite të tjera në vazhdim. Diçka që pritej prej kohësh, duke ditur raportin mes të dyve dhe punën e bërë vitet e fundit nga Tare, një "zbulim" i vetë Lotitos. Dhjetë vite më parë ishte pikërisht presidenti bardhekaltër që i besoi përgjegjësitë e merkatos, pasi mbylli karrierën si futbollist.

Rinovimi i Igli Tares, tashmë zyrtar, është shumë i rëndësishëm për strategjithë e klubit, që kërkon pjesëmarrjen në Champions League. Shumë nga blerjet e Tares, drejtorit sportiv shqiptar të Lacios, kanë rezultuar të goditura dhe i kanë sjellë shumë përfitime klubit italian. Milinkoviç-Saviç, Luis Alberto dhe Imobile janë disa shembuj. Shumë lojtarë Tare i ka blerë me kosto të ulët dhe një kohe të shkurtër vlera e tyre në treg është shumë fishuar. Falë revolucionit që ka bërë në skuadër, Tare është vlerësuar me një sërë çmimesh në Itali. Vitin e kaluar ai u zgjodh drejtori sportiv më i mirë në Itali.

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios

Zgjedhja për të qëndruar te Lacio e Tares, i kërkuar nga disa klube të tjera në Itali, mes tyre edhe Milani, do të thotë vazhdim i projekteve të nisura prej tij. Këto ditë presidenti Lotito ka nisur një fushatë rinovimesh. Përpara Tares kanë rinovuar Stefan Radu deri në vitin 2021, si dhe Senad Luliç. Lacio po përgatitet për ndeshjen e Europa League me Olimpikun e Marsejës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë