Futboll

Tare: Lidhje zemre me Lacion, e kuptova kur më kërkoi Milani

Igli Tare dhe Lacio gjenden mes ambicieve të titullit dhe planeve të merkatos. Drejtori sportiv i bardhekaltërve ka folur së fundi për “Sky”, ku ka sqaruar disa nga çështjet më të rëndësishme të momentit, trajnerin Inzagi, sulmuesin Imobile, Milinkoviç-Saviç, ëndrrën e titullit, por edhe lidhjen e tij të fortë me klubin.

“Uroj të kthehemi aty ku e lamë, por sigurisht do të ketë vështirësi. Më parë thoshin se ishim të avantazhuar ngaqë nuk luanim në kupa, tani kjo situatë nuk është më. Ajo që vlen është grupi, mentaliteti, entuziazmi. Do të luajmë çdo tri ditë dhe duhet të jemi të zotët për ta motivuar skuadrën. Merkato? Për shumë klube do të ketë ndryshime, jo vetëm për Lacion. Ka ndodhur diçka që ndoshta ndodh një herë në jetë dhe duhet të përshtatemi. Duhet fantazi dhe qartësi për të planifikuar të ardhmen.

Tare dhe Inzagi. Gazeta Si, 2 qershor 2020

Përparësi te Lacio është të ketë një skuadër me lojtarë në pronësinë tonë. Nuk kemi nevojë të shesim në këtë moment. Për lojtarë të nivelit të lartë nuk do të ulet çmimi, për ata nga mesatarja e poshtë do të ndryshojë diçka drejt uljes. Janë thelbësore karakteristika të caktuara. Shembulli më i mirë është Kaisedo, i cili është blerë me çmim të ulët, po të kemi parasysh rëndësinë dhe kualitetin e tij. E dija se do të ishte një goditje e madhe.

Raporti mes Milinkoviç dhe Lacios nuk do të vdesë kurrë, ka një lidhje të fortë mes nesh. Çdo situatë do të vlerësohet në momentin e duhur, pa presion, për të mirën e përbashkët. Nëse nuk ka oferta që kënaqin atë dhe ne, do të qëndrojë dhe jemi të lumtur. Për Imobilen nuk ka pasur asnjë ofertë nga Napoli, mendoj se ai do të qëndrojë për shumë kohë te Lacio. Rinovimi i Inzagit është përparësi, puna e tij shihet nga të gjithë. Lidhja e tij me klubin shkon përtej normales. Kush do të jetë Milinkoviç i ri? Nuk përmend emra. Të punosh në Romë është e vështirë, ndaj dhe dua të jem i rezervuar në këtë drejtim.

Po punoj me qetësi, në merkato ka shumë situata të paparashikuara. Duhet kohë dhe durim. Rruga jonë është e qartë, ka shumë modele të rëndësishme, si Napoli dhe Atalanta, por edhe ne kemi një histori të rëndësishme dhe ambicie. Kisha mundësinë të shkoja te Milani vitin e kaluar dhe që fëmijë kam qenë simpatizant i kuqezinjve. Kur mora vendimin, kuptova që për mua Lacio është shumë e rëndësishme, është në zemër. E them me shumë sinqeritet, ndihem lacial, nuk është vetëm lidhje profesionale. Është një krijesë që e kemi ndërtuar për vite me radhë dhe kur shoh frytet e punës, kjo lidhje bëhet edhe më e fortë”, - është shprehur Tare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë