Futboll

Tamponi i Tiranës, FSHF : Duan të pengojnë futbollin

Tirana është e detyruar të kryejë testet për Kovid-19 para ndeshjes me Luftëtarin, që luhet nesër në Gjirokastër. Ky është një urdhër i Institutit të Shëndetit Publik, sepse pak ditë më parë Tirana luajti me Bylisin dhe një lojtar i këtij ekipi kishte rezultuar pozitiv. Madje, Tirana rrezikon edhe karantinimin, sipas urdhrit të ISHP-së.

Për këtë situatë ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit, që e konsideron shkelje të institucioneve shtetërore si urdhrin për kryerjen e testeve nga Tirana, ashtu edhe pretendimet se ndeshja në Ballsh nuk duhej luajtur. Sipas FSHF-së, nuk ka pasur asnjë shkelje të protokollit në asnjë rast dhe e gjitha kjo është një sjellje dashakeqe e këtyre institucionve për të penguar futbollin. Federata thekson faktin se mjafton që të gjithë lojtarët e Bylisit rezultuan negativë në testet e kryera pas infektimit të Qardakut, që ndeshja të luhej normalisht.

Reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit
Federata Shqiptare e Futbollit kërkon t’u bëjë me dije klubeve të futbollit, medias dhe sidomos opinionit publik dhe futbolldashës shqiptar, gjithçka ka lidhje me situatën e krijuar pas ndeshjeve të javës së 27-të të Kategorisë Superiore. Rifillimi i aktivitetit futbollistik në Shqipëri ka qenë një proces i nxitur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Pas kërkesave të shumta të saj, është kërkuar komunikim me instancat shtetërore, të cilat ishin të plotfuqishme për të vendosur në lidhje me rifillimin.

Është përgatitur një protokoll për zhvillimin e ndeshjeve, mbështetur sipas modelit më të përparuar në botë të ekspertëve të Federatës Gjermane të Futbollit. Ky protokoll është miratuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve. Më 3 qershor kanë nisur sipas urdhrit të Ministres Manastirliu, aktivitetet futbollistike, që kanë qenë një shembull perfekt i zbatimit të protokollit. Një ditë para ndeshjes Bylis-Tirana, një lojtar i Bylisit ka rezultuar pozitiv dhe është karantinuar sipas rregullave të vendosura me protokoll. Po sipas protokollit të miratuar nga institucionet zyrtare shqiptare, testeve me tamponë i është nënshtruar i gjithë klubi i Bylisit. Të gjithë kanë dalë negativë. Kaq mjafton që ndeshja të zhvillohet normalisht.

Por në mënyrë absurde ka pasur një reagim nga Drejtoria e Higjienës në Ballsh që ndeshja të mos zhvillohet. Madje është këmbëngulur fort në këtë pikë, pavarësisht se protokolli thotë qartë të kundërtën. “Zullumi” trashet edhe më tej, sa për të bërë opinionin të kuptojë se asgjë nuk është “harresë” apo “injorancë zyrtare”. Një shkresë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i kërkon Klubit të Futbollit Tirana, që më datë 7 qershor të kryejë testet për Kovid -19, meqë kanë luajtur kundër Bylisit (i cili ka rezultuar negativ pas analizave). Në shkresë thuhet që Bylisi duhet të hynte në karantinë përpara kësaj ndeshjeje, pavarësisht se protokolli i zhvillimit të aktiviteteve nuk e parashikon një gjë të tillë.

Këto shkelje të njëpasnjëshme, të institucioneve shtetërore, pavarësisht përpjekjeve dhe durimit të klubeve dhe ndërhyrjeve të FSHF, i konsiderojmë si dashakeqëse dhe i denoncojmë në publik. Kërkojmë t’u rikthejmë njerëzve futbollin, duke zbatuar çdo protokoll, duke ruajtur çdo jetë. Por protestojmë ndaj burokratëve të “paditur”, ose dashakeqësve që kërkojnë t’i lënë shqiptarët pa një kënaqësi të pazëvendësueshme. Pa futboll.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë