Charlie Connelly - Në mbrëmjen e së mërkurës së 1 korrikut 1936, Salvador Dalí u përgatit t’i drejtohej një turme, të mbledhur në Galeritë New Burlington, në Mayfair të Londrës. Ekspozita Ndërkombëtare Surrealiste, tre javore, ishte në ditët e saj të fundit dhe tashmë kishte shkaktuar mjaft bujë.
Për hapjen, artistja britanike Sheila Legge pozoi në Sheshin Trafalgar si ‘Fantazma Surrealiste’ me një fustan nusërie dhe me kokën të mbushur me lule, një pamje e frymëzuar nga një pikturë Dalí.
Veprat e një artisti danez ishin kthyer mbrapsht në kufirin britanik, madje gati të shkatërroheshin krejt pasi u konsideruan pornografike dhe, në një moment poeti Dylan Thomas u pa të qarkullonte midis vizitorëve me një filxhan që kishte spango të zier, duke pyetur nëse e donin “të dobët apo të fortë”. Kompozitori William Walton vendosi një cironkë në një pikturë të Joan Miró; Paul Nash e hoqi atë kur aroma u bë e padurueshme.
Dalí, asnjëherë i tejkaluar në skenë, kishte nevojë të qartë që të dilte me diçka të jashtëzakonshme për leksionin e tij, nëse do të donte që të ishte për të cilin do të flitej pas ngjarjes.
Duke iu kthyer temës ‘Disa Fantazma Autentike Paranojake’, artisti u vringëlliu drejt foltores me një kostum zhytjeje për në det të thellë, duke mbajtur një stekë bilardoje, i shoqëruar nga një çift qensh-ujq irlandezë.
Do të kishte qenë mjaft e ndërlikuar që audienca londineze të kuptonte se çfarë po thoshte Dalí nga brenda përkrenares prej bronzi, por fakti që ai fliste në frëngjisht me një theks të fortë spanjoll,e bëri krejt të pamundur.
Moderatori ngjarjes e vuri veshin në përkrenare dhe u përpoq të përkthente: ekzistonte një histori kur Dalí fëmijë ishte magjepsur nga një gomar i ngordhur dhe një anekdotë për një mik student që kishte, me miratimin e Dalí-së, një herë ngrënë një gardërobë.
Vetëm pasi ia kishte njoftuar përmes filtrave të përkrenares përkthyesit se “qeniet njerëzore janë pika të zeza, tepër të vogla, në hundën e hapësirës”, u bë e qartë edhe në këtë skenar të pazakontë se diçka nuk shkonte mirë. Zëri i Dalí-së u lëkund dhe frymëmarrja iu bë e rëndë.
Gjestet gjithnjë e më të tërbuara fillimisht u interpretuan si pjesë e shfaqjes, por artisti në fakt ngadalë asfiksohej. David Gascoyne, poet dhe autor i një studimi të shkurtër të Surrealizmit, nxitoi me një çelës, zhvidhosi bulonat që vulosnin përkrenaren dhe, me pak ndihmë nga steka e bilardos, zbuloi një Dalí të mërzitur dhe të zbehtë, me mustaqet ende përsosmërisht simetrike, sikur performanca mbytëse të qe e gjitha pjesë e planit.
Ai do të lundronte në mënyrë të rrezikshme afër tragjedisë, por shpejt e kuptoi domethënien e incidentit, duke shkruar më vonë se, “Unë besoj se mitologjia Daliane… i detyrohej goxha ekscentricitetit të dhunshëm, të këtij leksioni me një kostum zhytjeje”.
Dalí ishte një artist i epërm i shekullit të 20-të, jo vetëm prej veprave surrealiste që ai prodhoi, nga orët që shkrihen te telefonat me karavidhe për receptorë, por në rolin e tij pionier për shfrytëzimin e pushtetit të celebritetit personal.
Shumica e emrave të artistëve sjellin në mendje imazhe të veprës së tyre. Përmendni emrin Salvador Dalí dhe madje tani, më shumë se 20 vjet pas vdekjes, shumica e njerëzve me gjasë do të shohin me sytë e zgurdulluar dhe mustaqet që sfidojnë gravitetin (kur trupi i tij u zhvarros në 2017 si pjesë e një padie të pasuksesshme për atësinë, flokët e fytyrës ishin ende në mënyrë të patëmetë në vend).
Aty ku bashkëkohësit e tij ishin më të lumtur në studiot e tyre dhe në galeritë, Dalí e njohu vlerën e kulturës moderne të argëtimit masiv, duke e bërë të funksionojë në avantazhin e tij. Kombinimi i shkëlqimit, inteligjencës, zgjuarsisë dhe talentit siguroi që ai të bëhej artisti më i njohur i epokës, i patrembur dhe i paturpshëm për publicitetin në e vetes, aq sa të veprës.
Ai ishte një adoptues i hershëm i kinemasë si një metodë e shprehjes artistike, duke bashkëpunuar me Luis Bunuel në novatorin “Un Chien Andalou”, realizuar në 1929-n. Ende i konsideruar si një kryevepër, filmi u bë i njohur veçanërisht për një skenë që Dalí kontribuoi duke prerë me brisk një kokërdhok, një nga momentet më të guximshme dhe më të diskutueshme në historinë e filmit.
Alfred Hitchcock e ftoi Dalí-në të krijonte një sekuencë të paharrueshme ëndrrash në trillerin e tij të vitit 1945, “Spellbound”, duke përmendur “mprehtësinë arkitektonike të veprës së tij”. Pak më vonë Dalí u porosit nga Walt Disney për të punuar në “Destino”, një animacion që ishte shumë larg prodhimit kur problemet financiare e mbyllën punën herët.
Futja e televizionit në pothuajse çdo familje në ShBA, gjatë viteve 1950 solli mundësi të reja dhe të ndryshme. Në 1957-n Dalí u shfaq si mysafir në “What's My Line ?”, duke u futur me një penel, përpara një paraqitje të paharrueshme për mënyrën se si iu përgjigj pothuajse çdo pyetjeje me një pohim. Edhe atyre si “A njiheni për të qenë shkrimtar?” dhe "A keni ndonjë lidhje me sportin ose ndonjë formë të përpjekjeve atletike?”.
Ai projektoi katër kopertina për revistën Vogue, një ballinë LP për Jackie Gleason, krijoi një portret të Raquel Welch për të promovuar filmin e saj “Fantastic Voyage” dhe prodhoi reklama për De Beers, Gap dhe Datsun, ndër të tjera. Në vitin 1969 ai projektoi një logo të re për Chupa Chups, një version i së cilës përdoret edhe sot në ambalazhet e topsheqerit.
Kjo parashikueshmëri e zhveshur komercializmi, tërhoqi kritika nga bashkëkohësit e tij. André Breton, i vlerësuar si figura kryesore në krijimin e Surrealizmit, kishte thënë më 1929-n se, “Me ardhjen e Dalí është ndoshta hera e parë që dritaret mendore janë hapur me të vërtetë dykanatësh, në mënyrë që dikush e ndien veten se rrëshqet drejt grackës së qiellit të pazbutur ”. Breton iu referua Dalí-s si, “avida dollars ’, një anagram i emrit të tij që do të thotë “lakmitar për dollarë”, në spanjisht.
Nëse ishte krijuar për të lënduar, nuk funksionoi. Dalí kurrë nuk e kishte fshehur ambicien e tij, as besimin në talentin dhe fatin. Në autobiografinë e tij, ai shkroi: “Në moshën shtatë vjeçare, doja të isha Napoleon. Që atëherë ambicia ime është rritur në mënyrë të vazhdueshme ”.
Ai u kënaq me nofkën anagramë të Bretonit dhe e përqafoi atë. Megjithatë, me të gjithë dëshirën për t’u dukur - Dalí ishte padyshim një artist i talentuar. Vetë-publiciteti mund t’ju çojë aq larg, sa të mos keni më substancë me të cilën ta mbështesni.
Katalunjasi Dalí e nisi karrierën në mënyrë konvencionale, duke u regjistruar në Shkollën e Arteve të Bukura në Madrid, më 1921. Nuk zgjati. Kishte lënë të kuptohej se çfarë do të vinte, kur ai u pezullua një herë për sjellje joshëse dhe u arrestua dy herë për aktivitete anti-qeveritare, para se të përjashtohej fare për refuzimin e kryerjes së një provimi në historinë e artit.
“Unë jam pafundësisht më inteligjent se këta tre profesorë dhe prandaj refuzoj të ekzaminohem prej tyre”, do të kishte njoftuar ai. “Unë e njoh këtë temë shumë mirë.”
Momenti kyç në fatin e tij krijues ndodhi më 1928-n, kur vizitoi Parisin për herë të parë e ku takoi Pablo Picasso-n, Marcel Duchamp-in, Breton-in dhe të tjerët e më pas braktisi Kubizmin, në favor të Surrealizmit.
Brenda tre viteve Dalí kishte prodhuar Këmbëngulja e Kujtesës, pikturën me vaj të orëve të holla, të shkrira, që u bënë vepra e tij më e famshme. Ishte një produkt i asaj që e quajti metoda ‘Paranojake-Kritike’ përmes së cilës ai u përpoq të hynte në thellësitë krijuese të nënvetëdijes, pa ndikim ose kushtëzim. Ai e përshkroi atë si një “metodë spontane të njohurive irracionale, bazuar në shoqërimin kritik-interpretues të fenomeneve të përçartjes”.
Ai do të vështronte një objekt të fiksuar për aq kohë sa do të niste të transformohej para syve të tij dhe do të ulej me një tas përzierje në prehër, duke mbajtur një lugë. Nëse ai do të përkulte kokën, luga do të cingëronte në tas dhe do ta zgjonte, duke e mbajtur, mendoi ai, në një gjendje të ngjashme me ëndrrën duke bërë të mundur futjen në imazhet që kërkonte.
Një mjeshtër i një vargu të veçantë njohurish irracionale si në veprën ashtu edhe në personalitetin e tij, njeriu Dalí u bë po aq i famshëm sa arti i tij. Prononcime të tilla si këmbëngulja e gjatë se stacioni hekurudhor Perpignan ishte qendra e Tokës dhe se, nëse Spanja nuk do të ishte ankoruar në të “tani do të ishim në Australi me kangurët dhe nuk ka asgjë më dëshpëruese në botë sesa të jetosh me kangurë ” do të zemëronte puristët artistikë, për të mos përmendur australianët, por cilësia e veprës së tij qëndron aq fuqishëm sa vetëbesimi i njeriut vetë.
“Në krahasim me Velázquez, unë nuk jam asgjë”, tha ai në vitin 1960, “por në krahasim me piktorët bashkëkohorë unë jam gjeniu më i madh i kohës moderne”. / The New European.Përktheu:Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.